Botë
Serbi, vazhdojnë përleshjet mes protestuesve dhe policisë
17.08.2025 13:19
Për të pestën natë me radhë, policia në Serbi...

Për të pestën natë me radhë, policia në Serbi është përleshur me protestuesit në disa qytete nëpër Serbi.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq ka thënë në një konferencë për media në Beograd, pak para mesnatës, se ka pasur “shkelje drastike të rendit publik”. Përleshjet më të dhunshme janë regjistruar në Valljevë, në perëndim të Serbisë, pasi zyrat e Partisë Përparimtare të Serbisë – parti e presidentit, Aleksandar Vuçiq – janë përfshirë nga flakët.
Daçiq ka thënë se në Valljevë janë sulmuar edhe ndërtesa e gjykatës dhe zyra e prokurorit, si dhe ato të administratës së qytetit. Në protesta janë dëmtar rëndë edhe zyrat e Partisë Radikale Serbe – parti e ekstremit të djathtë – të udhëhequr nga krimineli i luftës, Vojisllav Sheshel.
Në disa incizime janë parë zyrtarët policorë duke hedhur gaz lotsjellës, bomba zanore dhe duke i shpërndarë protestuesit, të cilët kanë gjuajtur gjësende në drejtim të tyre.
Skenar i ngjashëm ka ndodhur edhe në Beograd, ku protestuesit janë mbledhur para selisë së partisë Vuçiqit, mirëpo më vonë janë shpërndarë nga policia përmes gazit lotsjellës.
