Maqedoni

Dy zjarre ende aktive në Maqedoni, vihet sërish nën kontrollë zjarri në Jazhincë

17.08.2025 15:13

Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se dy zjarre për momentin...

Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se dy zjarre për momentin janë aktive në vend, teksa 1 është vënë nën kontroll dhe 24 tjera janë shuar plotësisht. Për shkak të zjarrit në Parkun Nacional “Jasen”, rruga rajonale R1106 Makedonski Brod-Shkup ende është e mbyllur për çdo lloj të automjeteve.
 
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza me zjarrin është përfshirë pylli i përzier, ndërkohë që nën kontroll është vënë zjarri midis fshatrave Rogaçevë, Jazhincë dhe Poshtë Oreshje, në Komunën Jegunovcë, ku janë përfshirë kullota dhe pyll i përzier.
 
Zëvendësdrejtori i Pyjeve Kombëtare, Kiril Mihajlov në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka theksuar se duhet të merren masa të rrepta sanksionuese nga gjyqësori për të ndaluar këto dukuri që po ndodhin me zjarret. Sipas tij, kapja e zjarrvënësve dhe e prerësve të paligjshëm është e kotë, nëse gjykatat u japin vetëm dënime të lehta.
 
“Gjyqësori është hallka e fundit që do të duhet të qëndrojë në mbrojtje të atdheut. Është e kotë nëse ne i zëmë edhe qindar piromanë këtë vit nëse gjyqi e trajton atë sikur rrezik për sigurinë e përgjitshme dhe nuk është zgjidhje që zjarrvënia të gjykohet sipas disa neneve më të buta, me dënime me kusht, sepse në fund të ditës kjo nuk ndihmon në ndryshimin e vetëdijes së qytetarëve”, u shpreh zëvendësdrejtori i pyjeve kombëtare Kiril Mihajlov.
 
Kërkohen dënime më të ashpra për zjarrvënësit
 
Sipas Mihajllovskit, numri shumë i madh i zjarreve dhe i kallëzimeve penale në një muaj tregon qartë se nuk janë rastësi, por shumë prej tyre janë të qëllimshme.
 
“Shihni, 550 zjarre brenda një muaji është shifër tronditëse. Askush nuk mund të na bindë se kjo është rastësi. Nga 1 deri më 24 korrik, MPB ka paraqitur 19 kallëzime penale ndaj personave që kanë shkaktuar zjarr, me dashje ose pa dashje. Mbi 27 persona janë arrestuar lidhur me këto zjarre. Kjo është treguesi më i madh. Për krahasim, nga viti 2014 deri më 2024 në Maqedoni janë paraqitur vetëm 15 kallëzime penale për zjarre gjatë gjithë këtyre 10 viteve, ndërsa tani vetëm në një muaj kemi 19”, theksoi Mihajlov.
 
Mihajllov shtoi se rreth 9.000 hektarë gjithsej janë përfshirë nga zjarret, përfshirë edhe ato në korrik, dhe se disa prej tyre mund të kenë motive edhe politike.
 
ARMEND MURSELI