Maqedoni

Kriza politike, Gruevski dhe Zaev takim në Strasburg

19.05.2015 12:08

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sot pasdite, në Strasburg...

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sot pasdite, në Strasburg, do të takohen me tre eurodeputetët, Riçard Hovit, Ivo Vajgël dhe Eduard Kukan.
 
Ata do të bisedojnë për dalje nga kriza aktuale politike në vend. Paraprakisht, Hovit, Vajgël dhe Kukan në Bruksel kanë pasur takime me përfaqësues të VMRO-së dhe LSDM-së, por hollësira nga takimet nuk janë kumtuar. 
 
Eurodeputeti Hovit mori pjesë në protestën e së dielës, që u organizua nga LSDM-ja dhe disa organizata joqeveritare, ndërsa dje ka pasur takim me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së.
 
"Unë jam këtu që të vëzhgoj dhe nuk do të tentoj të locoj faj te njëra apo pala tjetër, kjo nuk është sjellje përgjegjëse, në rast se jeni pjesë e ndërmjetësimit, i cili duhet ta zgjidh krizën politike"- deklaroi Hovit të dielën. 
 
Sot, Gruevski dhe Zaev do të takohen edhe me eurokomisarin për negociata për zgjerim, Johanes Han, i cili do të tentojë t'i pajtojë kundërshtarët politikë, me qëllim të tejkalimit të situatës politike në vend.
 
Për këtë detyrë, Han mbrëmë u inkurajua edhe nga ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të BE-së, të cilët në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Unionit arritën marrëveshje që më hollësisht të përqendrohen në këtë çështje në qershor.
 
Maqedonia, Turqia dhe Hungaria, nesër, megjithatë do të jenë në rend të ditës edhe të sesionit të ri të Parlamentit Evropian. Eurodeputetët në Strasburg do të debatojnë për krizën politike në Maqedoni dhe ngjarjet në Kumanovë.