Botë
Izraeli njofton zhvendosjen e banorëve të Gazës, Hamas: Plani i Izraelit është një valë e re gjenocidi
17.08.2025 17:38
Izraeli njoftoi se do t’i zhvendosë banorët e qytetit të Gazës...

Izraeli njoftoi se do t’i zhvendosë banorët e qytetit të Gazës, para se të nisë ofensivën që e paralajmëroi kryeministri Benjamin Netanjahu. Nga sot, banorëve të Gazës do t’u sigurohen çadra dhe pajisje të tjera për strehim, para se të zhvendosen nga zonat e luftës në jug të enklavës për të garantuar sigurinë e tyre, ka njoftuar ushtria izraelite.
Për grupin militant palestinez Hamas plani i Izraelit për zhvendosjen e banorëve të Gazës është një “valë e re gjenocidi” ndaj qindra mijëra banorëve të enklavës.Hamas në një deklaratë vlerësoi se vendosja e planifikuar e çadrave dhe pajisjeve të tjera në jug të Gazës është një mashtrim i qartë.
Kjo vjen disa ditë pasi Izraeli njoftoi se ka ndërmend të nisë një ofensivë të re për marrjen e kontrollit mbi qytetin verior të Gazës, qendra më e madhe urbane e enklavës, e cila ka rreth 2,2 milion banorë, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra në publikun ndërkombëtar.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se para nisjes së ofensivës, popullsia civile do të evakuohet në ato që ai i përshkroi si zona të sigurta brenda qytetit të Gazës, të cilin e quajti bastioni i fundit i Hamasit.
Pajisjet për strehim do të transportohen përmes pikës kufitare Kerem Shalom në jug të Gazës nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare ndihmash, pasi të kontrollohen nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes, njoftoi ushtria.
Një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare shprehu shqetësim lidhur me planet e Izraelit për zhvendosjen e njerëzve në jug të Gazës, duke thënë se kjo vetëm do të rrisë vuajtjet.
Megjithatë, OKB e përshëndeti pranimin nga Izraeli se strehimi është një nevojë urgjente dhe se çadrat dhe pajisjet e tjera për strehim do të lejohen përsëri të hyjnë në Gaza.
ARMEND KRYEZIU
