Botë
Negociatat për Ukrainën, Tramp nesër pret Zelenskin
17.08.2025 17:16
Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky do të udhëtojë nesër për në Uashington...

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky do të udhëtojë nesër për në Uashington për t'u takuar me Presidentin amerikan Donald Trump. Ata pritet të diskutojnë në Shtëpinë e Bardhë zgjidhje të mundshme për t'i dhënë fund luftës Rusi - Ukrainë.
Takimi vjen pas një samiti në Alaska ku Tramp dhe Putin u përpoqën të arrinin një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit.
Presidenti ukrainas Zelenski paralajmëroi se Rusia "hedh poshtë thirrjet e shumta për armëpushim dhe ende nuk ka vendosur se kur do t'i ndalë vrasjet". Kjo e ndërlikon situatën, theksoi Zelenski në një postim në rrjetet sociale.
Ai falënderoi tetë udhëheqësit nordikë-baltikë që lëshuan një deklaratë të përbashkët se ata mbeten të përkushtuar fuqimisht për të mbështetur Ukrainën.
"Po përgatitemi për takimin e së hënës me Presidentin Tramp dhe jam mirënjohës për ftesën", theksoi Zelenski në një postim në rrjetet sociale.
Pas takimit me Putinin, presidenti amerikan tha se i kishte afruar qëndrimet e të dy palëve për ndërprerjen e armiqësive midis Rusisë dhe Ukrainës. Mundësia e lëshimit të pjesëve të territoreve nuk përjashtohet.
"Do të përpiqemi ta mbyllim këtë çështje. Kemi bërë përparim vërtet të madh. Gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Presidentin Vladimir Putin. Patëm një takim shumë produktiv dhe ramë dakord për shumë tema, ndërsa një numër më i vogël çështjesh jo shumë të rëndësishme mbeten të hapura", u shpreh presidenti i ShBA-së Donald Trump.
Putini tashmë i ka informuar zyrtarët më të lartë rusë mbi bisedimet me Trumpin në Alaska. Ai i përshkroi ato si "shumë të sinqerta" dhe tha se të dyja palët shprehën një interes të përbashkët për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
"Dua të theksoj menjëherë se vizita në Shtetet e Bashkuara ishte në kohën e duhur dhe shumë e dobishme. Diskutuam praktikisht të gjitha fushat e bashkëveprimit tonë, por para së gjithash, sigurisht, diskutuam një zgjidhje të mundshme të krizës ukrainase në një bazë të drejtë. Dhe sigurisht, patëm mundësinë të diskutonim gjenezën, shkaqet e kësaj krize, gjë që e bëmë. Është pikërisht eliminimi i këtyre shkaqeve rrënjësore që duhet të jetë baza për një zgjidhje. Biseda me Presidentin e SHBA-së Donald Trump ishte shumë e hapur, informuese dhe, sipas mendimit tim, na afron me zgjidhjet e nevojshme", theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ushtarët ukrainas që luftojnë në rajonin e Kharkiv kanë shprehur skepticizëm në lidhje me negociatat diplomatike për t'i dhënë fund luftës pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk arriti të sigurojë një marrëveshje nga homologu i tij rus Putin për t'i dhënë fund konfliktit.
“Nëse Rusia do të donte vërtet t’i jepte fund kësaj lufte, kjo do të ishte e qartë deri tani. Por ajo palë kupton vetëm forcën”, u shpreh ushtari ukrainas.
“Ne nuk do të dorëzohemi dhe do të qëndrojmë në pozicionin tonë. Si mund t’i dorëzojmë thjesht territoret tona? Duhet të shkojmë deri në fund”, theksoi ushtari ukrainas.
Konflikti Rusi-Ukrainë filloi në shkurt të vitit 2022.
FITIM KRYEZIU
