Botë
Uashington, përpjekje për marrëveshje paqësore për Ukrainën
18.08.2025 13:53
Në Uashington vazhdojnë përpjekjet për marrëveshjeje paqësore për Ukrainën....

Në Uashington vazhdojnë përpjekjet për marrëveshjeje paqësore për Ukrainën. Fillimisht është zhvilluar një takim kokë më kokë mes presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski, dhe presidentit amerikan, Donald Tramp, ndërsa më pas në tryezë janë ulur edhe liderët kryesorë evropianë, duke përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. Presidenti ukrainas Zelenski nga Uashingtoni deklaroi se pret garanci sigurie me mbështetjen e liderëve evropianë.
“Jam i bindur se do ta mbrojmë Ukrainën, do të garantojmë sigurinë dhe populli ynë gjithmonë do të jetë mirënjohës ndaj presidentit Tramp, Amerikës dhe të gjithë partnerëve tanë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmueshme. Rusia duhet t’i japë fund kësaj lufte që e nisi vetë. Shpresoj që forca jonë e përbashkët me ShBA-në dhe miqtë tanë evropianë do ta detyrojë Rusinë të pranojë një paqe të vërtetë.”, - deklaroi kryetari i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërsa presidenti amerikan Tramp para takimit ka shkruar në rrjetet sociale se Zelenski duhet të heqë dorë nga Krimea dhe nga anëtarësimi në NATO nëse dëshiron t’i japë fund luftës.
“Presidenti ukrainas Zelenski mund t’i japë fund luftës me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë. Kujtoni si filloi gjithçka. Nuk ka kthim të Krimesë, e cila iu dha Rusisë nga Obama para 12 vitesh pa u qëlluar asnjë plumb dhe nuk ka hyrje të Ukrainës në NATO. Disa gjëra kurrë nuk ndryshojnë.”, shkroi Trampi.
I dërguari i posaçëm amerikan, Stiv Uitkof, zbuloi se ShBA-ja po shqyrton mundësinë e garancive të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me nenin 5 të Kartës së NATO-s, por jashtë aleancës.
“ShBA-ja është e gatshme të japë garanci të drejtpërdrejta sigurie, së bashku me partnerët evropianë dhe kjo është vërtet e rëndësishme.”, - theksoi i dërguari i ShBA-së, Stiv Uitkof.
Liderët evropianë nga Brukseli përshëndetën gatishmërinë e Trampit për t’u përfshirë në proces, por theksuan se do t’i kundërvihen çdo plani për shkëmbim territoresh që do të shpërblente agresionin rus.
“Duhet të kemi garanci të forta sigurie për të mbrojtur Ukrainën dhe interesat jetike të Evropës. Ukraina duhet të ruajë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Nuk mund të ketë kufizime për forcat e saja të armatosura, pavarësisht nga bashkëpunimi apo ndihma nga vendet e treta.”, - u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Në Uashington ndodhen liderët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Finlandës, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Ata po i japin mbështetje diplomatike presidentit Zelenski, në kërkim të zgjidhjes për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
GYLTENE SINANI
