Maqedoni

33-vjetori i Armatës, Misajllovski: Vazhdojmë investimet në Armatë

18.08.2025 14:14

Armata e vendit shënon 33-vjetorin e themelimit të saj....

Armata e vendit shënon 33-vjetorin e themelimit të saj. Në kazermën ushtarake “Jane Sandaski” në Shtip u mbajt ceremonia qendrore e këtij manifestimi, ku u numëruan të arriturat e kësaj armate brenda tre dekadave, të mbushura me përkushtim, sakrificë, dije, guxim dhe vendosmëri në shërbim të atdheut. Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, tha se investimet në Armatë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa gjeneral majori Sashko Lafçiski, tha se në vazhdimësi duhet ruajtur niveli i lartë i gatishmërisë ushtarake. 
 
“Sot mund të konfirmojmë se shtyllat mbi të cilat po e ndërtojmë armatën dhe forcat ushtarake qëndrojnë të forta. Buxheti i armatës është në nivel të lartë, dhe kështu do të vazhdojmë. Ne fuqishëm jemi të angazhuar për përforcimin e mbrojtjes sonë duke i përmbushur angazhimet për investime në burimet mbrojtëse në përputhje me vendimet e samitit të NATO-s në Hagë. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, sepse secili prej punonjësve tanë duhet të jetë i motivuar dhe i vlerësuar për kontributin që ata po japin.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
 
“Në një botë që ndryshon me shpejtësi, një nivel i lartë i gatishmërisë luftarake është themeli i suksesit tonë. Ne duhet të përshtatemi me kërcënimet e reja, duhet t’i pranojmë dhe t’u përshtatemi teknologjive të reja dhe vazhdimisht të stërvitemi për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë ushtarake.”, - theksoi gjeneral major, Sashko Lafçiski.
 
Davkova: Bllokimi i integrimeve, rrezik për Evropën
 
Komandantja supreme e Armatës, presidentja Gordana Siljanovska Davkova me këtë rast u kërkoi institucioneve kompetente të marrin në konsideratë projekte afatgjate që do të garantojnë vetëmbështetje dhe zhvillim të mbrojtjes, jo vetëm në kushte paqësore, por edhe në një mjedis kërcënimi ushtarak dhe konflikti të mundshëm. Njëherësh Siljanovska Davkova vlerësoi se bllokimi i procesit eurointegrues i vendit paraqet kërcënim për sigurinë për gjithë Evropën dhe rajonin. 
 
“Bllokimi i integrimit evropian, duke e përfshirë edhe tonën, po merr dimensionin dhe karakterin e një rreziku serioz sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE-në.  Jam e bindur se si në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen, armata jonë është e gatshme të angazhohet dhe të investojë në projektin kompleks shumëdimensional dhe shumëfunksional të ndërtimit të institucioneve dhe sistemeve që kanë financim vetanak në një kohë të kërcënuar për stabilitetin ndërkombëtar dhe rajonal.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, kryeparlamentari Agim Gashi, deputetë, kori diplomatik, ministra aktual dhe ish-ministra të mbrojtjes, kryeshefat e shtabit, por njëkohësisht u rreshtuan edhe 26 nëntogerë dhe 149 nënoficerë, të cilët kohë më parë përfunduan shkollimin dhe trajnimin e tyre, ku Siljanovska Davkova dekoroi kadetët dhe oficerët me dekoratë me meritë ushtarake.
 
REXHEP QAMILI