Rajon

Vuçiqi kërcënon protestuesit: Ditët në vijim do të marrim vendime të papritura

18.08.2025 14:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar vendime të papritura në ditët e ardhshme...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar vendime të papritura në ditët e ardhshme, si përgjigje ndaj protestave të dhunshme që kanë përfshirë këtë vend. Sipas tij, situata aktuale po sfidon ekzistencën e shtetit dhe qetësinë publike, ndërsa paralajmëroi shfrytëzimin e të gjitha masave në dispozicion për ta kthyer rendin. Presidenti serb thotë se mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme do të ishte masa e fundit. 
 
“Në tre-katër ditët e ardhshme do të shihni vendime befasuese, e më pas do të ketë aksion vendimtar.  Ditëve të ardhshme mund të duket sikur shteti është tërhequr dhe se jemi mposhtur, por do ta shihni tërë vendosmërinë e Serbisë. Do të shfrytëzojmë gjithçka që kemi në dispozicion, ta kthejmë rendin, paqen dhe stabilitetin dhe atë do ta bëjmë. Do t’u kundërvihemi të gjitha presioneve, të gjithë atyre që na kërcënojnë. Për gjendje të jashtëzakonshme nuk kemi menduar. Kemi masa të mjaftueshme, të cilat mund t’i ndërmarrim në përputhje me ligjin. Kjo do të ishte masa e fundit.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 
 
Vuçiqi njëherësh ftoi qytetarët që të mos lejojnë që demonstruesit të shkatërrojnë institucionet shtetërore. Ndërsa natën e kaluar protestuesit u mblodhën para stacioneve policore në Beograd, për të kundërshtuar brutalitetin policor ndaj protestuesve. Me moton “Mbeturinat bien, populli udhëheq”, u protestua edhe në kryeqendrën e Vojvodinës në Novi Sad, përkatësisht para ndërtesës së gjykatës. Në shesh u arrestuan 5 studentë, por më pas u liruan. Ndaj 35 protestuesve do të ngrihen padi, ndërsa si pasojë e protestave të dhunshme janë lënduar disa pjesëtarë të policisë.   
 
GYLTENE SINANI