Maqedoni

Zgjedhjet lokale, BDI: Anëtarët po e lënë VLEN-in

18.08.2025 15:19

Afrimi i datës së zgjedhjeve lokale të tetorit po rrit retorikën e ashpër dhe përplasjet mes koalicioneve shqiptare VLEN dhe AKI...

Nga BDI theksojnë se koalicioni VLEN po shpërbëhet dhe braktiset nga aktivistët dhe mbështetësit e saj. Fajësojnë Mexhitin se ka shndërruar partinë në biznes privat. Sipas tyre shqiptarët do ta ndëshkojnë këtë politik në zgjedhjet e ardhshme që i quajnë referendum. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në prezantimin e logos së re të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim kërkoi bashkimin e shqiptarëve. Sipas BDI-së, Besëlidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim është forca e vërtetë politike që rritet çdo ditë dhe që do ta udhëheqë popullin shqiptar përpara, të bashkuar dhe me dinjitet.
 
"Mexhiti dhe rrethi i tij i ngushtë e shndërruan partinë pa struktura të formuara, në një biznes privat, pa ide dhe pa vizion. Ata që dje besonin se VLEN-i do të sillte ndryshime, sot po e shohin fytyrën e vërtetë të lakmisë, përçarjes dhe tregtisë me interesat shqiptare. Shqiptarët dinë ta ndëshkojnë politikën që i nënvlerëson. VLEN-i është një eksperiment i dështuar politik i Mickoskit dhe qytetarët këtë e kanë kuptuar.", thonë nga BDI.
 
Zgjedhjet lokale, Mexhiti: Nga BDI-ja u larguan parti serioze
 
Sa i përket akuzave të BDI-së për braktisjen e anëtarësisë nga radhët e VLEN-it, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti thotë se VLEN-i është i unifikuar dhe koalicion që nuk i ndryshon emrat.
 
“E para, VLEN-i edhe para një viti ka qenë VLEN dhe edhe sot është VLEN, të tjerët i ndërrojnë emrat. Nuk i mbaj mend më. Fronti Evropian, Fronti Kombëtar, tash AKI. Ata kanë problem me identitetin. Po bashkohen disa forca politike që në të kaluarën janë përplasur keq dhe ju e shihni se është evidente që çdo ditë dikush largohet prej aty. U largua partia turke, e cila ka qenë parti serioze me diku 20 mijë banorë, u largua Menduh Thaqi, të shohim në vijim, por VLEN-i asnjëherë nuk ka qenë më unik, asnjëherë s'ka qenë më i bashkuar.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN.
 
Nga koalicioni VLEN theksojnë se është BDI-ja ajo që po humb çdo ditë mbështetjen e qytetarëve. Nga zgjedhjet në zgjedhje, kjo parti shënon rënie të pandalshme në numrin e votave, deputetëve dhe kryetarëve të komunave. Ajo që dikur paraqitej si forcë politike e shqiptarëve, sot është shndërruar në një biznes privat të udhëheqjes së ngushtë. Qytetarët po e japin qartë mesazhin e tyre: nuk duan më një parti të konsumuar e të kthyer në instrument pasurimi personal. Në zgjedhjet e ardhshme, rënia e BDI-së pritet të bëhet edhe më e dukshme, vlerësojnë nga koalicioni VLEN. 
 
FLORIJE KAMBERI