Maqedoni
Rregullorja e re për pjesëmarrje në zgjedhje, Jashari: Hap i mirë, por realiteti favorizon partitë
18.08.2025 15:38
Miratimi i rregullores së re nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pas dështimit të Kuvendit për të ndryshuar Kodin Zgjedhor...

Miratimi i rregullores së re nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pas dështimit të Kuvendit për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, me çka kandidatët e pavarur mund të kandidojnë vetëm me dy nënshkrime nga zgjedhësit, për profesorin universitar Hasan Jashari, situata e re paraqet një lloj avancimi demokratik, por megjithatë subjektet e pavarura nuk janë ndonjë rast që mund të ngadhënjejnë, sepse për dallim nga partitë politike, të pavarurit nuk kanë mjete, strukturë e mekanizma shtetërore për t’i realizuar premtimet.
“Është një hap drejt demokratizimit të procesit zgjedhor, ka elemente pozitive dhe duhet si i tillë të përkrahet. Mirëpo, ka dilema të ndryshme se sa shteti, qeveria do t’u ofrojë resurse, mundësi të barabarta, atyre subjekteve, atyre personave, të cilët nuk kanë mundësi, resurse, struktura në terren, siç kanë partitë politike, si organizata jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe jashtëzakonisht të pasura me resurse, me të cilat pastaj paraqiten para qytetarëve dhe kërkojnë votën e tyre. Partitë politike përsëri do të jenë në një përparësi të madhe në krahasim me këta persona, me këta subjekte të pavarura, duke marrë parasysh faktin se subjektet e pavarura edhe në të kaluarën edhe tash i kanë mundësitë e limituara, nuk kanë çfarë të premtojnë, nuk kanë struktura të cilat do t’u ndihmojnë, do të lobojnë për ata, do t’u shkojnë nëpër takime, pra kemi të bëjmë me një pabarazi bazike.”, - deklaroi profesori universitar, Hasan Jashari.
Vitin e kaluar, Kuvendi rriti pragun në 1% të trupit zgjedhor, por Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene nga Kodi Zgjedhor, e të cilat rregullonin numrin e nënshkrimeve që duhet mbledhur, qoftë për zgjedhje parlamentare apo lokale, në rastin kur listat dorëzohen nga kandidatët e pavarur.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
