Maqedoni
Mexhiti ka inspektuar punimet e rrjetit të kanalizimit në Haraçinë
18.08.2025 15:49
Mexhiti ka inspektuar punimet në rrjetin sekondar të kanalizimit fekal në fshatin Haraçinë të Shkupit...

Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka inspektuar punimet në rrjetin sekondar të kanalizimit fekal në fshatin Haraçinë të Shkupit, i cili përfshinë pothuajse të gjithë fshatin. Ai tha se ky rrjet i kanalizimit ka kushtuar rreth 20 milionë denarë, prej të cilëve vetëm 4.5 milionë denarë janë ndarë nga komuna, ndërsa pjesa tjetër prej 15.5 milionë denarësh janë ndarë nga Qeveria dhe Ministria e Mjedisit.
“Jemi në Haraçinë ku nga afër po ndjekim ecurinë e një projekti të rëndësishëm infrastrukturor të rrjetit sekondar të kanalizimit fekal i përbërë nga 9 degë në një vlerë të përgjithshme prej rreth 20 milionë denarësh. Aktualisht po punohet në degën e fundit me një gjatësi prej 860 metrash, ku tanimë janë realizuar 50 për qind e punimeve, ndërsa përfundimi i saj pritet brenda muajit të ardhshëm. Gjatë 13 muajve të fundit në Haraçinë kemi sjellë investime në vlerë prej mbi 164 milionë denarësh, të cilët kanë prekur projekte reale dhe konkrete dhe jo vetëm premtime boshe.”, - theksoi ministri i MMJPH-së, Izet Mexhiti.
Mexhiti po ashtu ka bërë të ditur se deri më tani janë realizuar një sërë projektesh për komunën e Haraçinës, ku në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor deri më tani janë investuar rreth 164 milionë denarë përmes thirrjes së parë, thirrjes së dytë dhe programit për investimet kapitale, prej të cilave vetëm në ndërtimin e kanalit janë ndarë 64 milionë denarë, ndërsa 100 milionë denarë të tjera për projekte të tjera infrastrukturore. Mexhiti më tej theksoi se deri më tani në Haraçinë është ndërtuar kanali anësor, është filluar me punë ndërtimi i rrjeteve të reja fekale dhe atmosferike, por edhe të ujësjellësit dhe po ashtu është siguruar rregullimi urban përmes ndërtimit të shtigjeve për këmbësorët dhe shëtitoreve, siç është rasti përgjatë lumit të Mojancës.
FITIM KRYEZIU
