Maqedoni

Edhe 5 të vdekur nga uria në Gazë, protestuesit në Tel Aviv kërkojnë paqe

18.08.2025 16:20

Edhe 5 palestinezë, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit...

Edhe 5 palestinezë, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Sipas kësaj ministrie, numri i të vdekurve nga uria në Gazë që nga 7 tetori 2023 është rritur në 263 persona, prej të cilëve 112 fëmijë. Ndërkohë mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Tel Avivit, duke përfshirë familjet e pengjeve të cilët protestuan me kërkesën për ndaljen e luftës në Gazë. Ata kundërshtuan vendimin e kryeministrit Netanjahu për një ofensivë të re ushtarake në vetëm qytetin e Gazës.
 
“Jemi të lodhur nga lufta, të lodhur nga braktisja, të lodhur nga sakrificat. Kërkojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për kthimin e 50 pengjeve në shtëpi.”, - tha një protestuese.   
                                                                                                   
“Kërkojmë atë që na takon – fëmijët tanë! Qeveria izraelite kurrë nuk ka marrë një nismë të vërtetë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës. Nëse Netanjahu dëshiron marrëveshje, atëherë duhet të paraqesë një plan të plotë dhe të zbatueshëm, ndryshe vetëm na mashtron.”, - tha një protestuese tjetër.
 
Netanjahu: Protestat, në interes të Hamasit  
 
Por, kryeministri Netanjahu nuk heq dorë nga zgjerimi i operacionit ushtarak, ndërsa protestën për ndërprerjen e luftës në Gazë e ka vlerësuar në interes të Hamasit. 
                                                                                                                        
“Ata që bëjnë thirrje për ndalimin e luftës pa mposhtur Hamasin, jo vetëm që e forcojnë pozitën e tyre dhe e shtyjnë lirimin e pengjeve, por edhe garantojnë se tmerri i 7 tetorit do të përsëritet dhe se do të detyrohemi të zhvillojmë një luftë të pafund. Për të përshpejtuar lirimin e pengjeve dhe për të siguruar që Gaza të mos jetë më kërcënim për Izraelin, duhet ta çojmë deri në fund detyrën dhe ta mposhtim Hamasin. Jemi të vendosur ta realizojmë këtë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Ndërkohë kryeministri i Katarit, Mohamed bin Abdulrahman Al Thani, ndodhet në Egjipt për të çuar përpara negociatat, ndërkohë që ndërmjetësit egjiptianë dhe katarianë kanë paraqitur një propozim për një armëpushim 60-ditor në Gazë. Ky plan përfshin gjithashtu lirimin e 10 pengjeve izraelite dhe kthimin e trupave të të paktën 15 izraelitëve të vrarë. Si pjesë e marrëveshjes, pritet që Izraeli të lirojë qindra të burgosur palestinezë. Propozimi gjithashtu përmban një garanci të shkruar nga Shtetet e Bashkuara, që siguron fillimin e negociatave indirekte mes Hamasit dhe Izraelit për tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe arritjen e një marrëveshjeje për një armëpushim afatgjatë.