Maqedoni
Vijojnë përplasjet politike, BDI: VLEN-i u largua nga BE-ja, solli “botën serbe”
19.08.2025 13:31
Ditë e më afër zgjedhjeve nxehen akuzat dhe kundërakuzat mes partive politike për premtime boshe, dështime dhe gënjeshtra....

Nga BDI akuzojnë koalicionin VLEN për mosmbajtjen e premtimit për ndryshimet kushtetuese, që hapin rrugën drejt BE-së, por në vend të kësaj solli botën serbe dhe vazhduan të qëndrojnë me turp në Qeveri. BDI me kritikë edhe për vitalitetin e Marrëveshjes së Ohrit, ku thonë se me projektin paqësor po udhëheq personaliteti me frymë lindore. Sërish e quajnë tetorin muaj të referendumit, si çlirim të qytetarëve nga ngulfatja korruptive.
“Në vend të Bashkimit Evropian, VLEN-i solli “botën serbe” bashkë me Dodikun, Vuçiqin, Rusinë dhe Kinën në krye të vendit. Skandale të përditshme, paaftësi e paprecedentë, servilitet dhe vasalitet të paimagjinueshëm, nënçmim, përbuzje, dështime dhe një ZERO e madhe, këto janë tiparet e VLEN-it. Premtuan 2.500 punësime, qytetarët përfunduan me zero. Premtuan 10.000 € për çdo qytetar, qytetarët përfunduan me zero. Premtuan Akademi të Shkencave Shqiptare, sollën Dodikun. Premtuan bankë shqiptare, sollën bankën serbe. Premtuan ndryshime kushtetuese dhe integrim evropian, sollën botën serbe. Marrëveshjen e Ohrit ia dorëzuan putinistit Ivan Stoilkoviq.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
VLEN: Me akuza doni të mbuloni 23 vjet dështim
Kundërpërgjigjen nga koalicioni VLEN. Sipas tyre, BDI-ja akuzon vetëm e vetëm që t’i mbulojë dështimet dhe krizën e brendshme politike. Pohojnë se VLEN-i asnjëherë nuk ka qenë më i bashkuar se tani.
“23 vite gënjeshtra, mjaft më! BDI dhe aleatët e saj e kanë shndërruar politikën në një lojë logosh dhe ngjyrash. Ky është tregues i qartë i një partie që nuk e di kush është dhe ku po shkon. Një ditë ngjyra e gjelbër, ditën tjetër e kaltër, por në çdo rast, qytetarët i shohin të njëjtët njerëz, me të njëjtat dështime dhe me të njëjtin korrupsion. Ndërkohë, nga “Fronti” i tyre po largohen një e nga një: u largua partia turke, e cila ka qenë forcë serioze me rreth 20 mijë qytetarë mbështetës; u largua Menduh Thaçi, dhe kjo është vetëm fillimi. Forcat që në të kaluarën janë përplasur rëndë mes vete, sot përpiqen të fshihen nën një logo të përbashkët, por qytetarët e dinë mirë se kjo është vetëm një fasadë.”, - thonë nga VLEN.
Edhe nga VLEN-i tetorin e shohin si ngadhënjyes dhe veten e konsiderojnë si shpresë për qytetarët dhe njëkohësisht zotohen se do të sjellin vepra konkrete për popullin.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
