Të arrestuarit e rastit në Kumanovë, Mehmeti: Po na pengojnë të vizitojmë të arrestuarit

19.05.2015 14:25

Avokati i popullit, Ixhet Memeti, ka ngritur fletëparaqitje penale ndaj policisë së panjohur në rastin e të arrestuarve në Kumanovë...

Avokati i popullit, Memeti, konfirmon dëshmitë e familjarëve të  të arrestuarve nga Kosova, të filmuara ditë më parë nga TVM-2, se ndaj të arrestuarve është ushtruar dhunë dhe ata janë keqtrajtuar gjatë arrestimit dhe qëndrimit të  tyre në burgun e Shutkës. Memeti thotë se ka elemente të mjaftueshme të dyshimit se disa të arrestuar, në mesin e tyre edhe një polic i arrestuar nga Kumanova, janë keqtrajtuar nga forcat policore të Maqedonisë.

“Dje unë lëshova fletëparaqitje penale ndaj policëve të panjohur edhe pse në rastin konkret nuk bëhet fjalë për policë të panjohur, pasi janë të njohur për MPB-në dhe për prokurorinë për hir të asaj se kemi elemente të mjaftueshme të dyshimit me bazë se gjatë ushtrimit të punës kanë keqtrajtuar një të arrestuar dhe kjo ka ndodhur pasi që gjyqtari ka miratuar aktvendim që personi i ndaluar të bartet në burgun e Shutkës për të vuajtur masën e paraburgimit”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.

Avokati i popullit deri më tani ka vizituar vetëm një pjesë të të arrestuarve. Memeti thotë se të arrestuarit e tjerë që ndodhen në paraburgim dhe kanë akoma lëndime e kanë shumë të vështirë t’i mbledhin provat e mjaftueshme që kanë qenë të keqtrajtuar. Ai thotë gjithashtu se është penguar nga punonjësit e burgut të Shutkës që t’i vizitojë të arrestuarit e tjerë.

“Prej të premtes së kaluar ka një dukuri që mua si avokat i popullit më shqetëson, e ajo është se ka filluar  udhëheqësia e burgut të pengon punën e Avokatit të Popullit, gjithësisht atij të mos i lejohet që të vazhdojë me vizitat e të arrestuarve dhe besoj se me reagimet e mia që kam bërë dhe këtë që do të jap, kritikë publike, një gjë e  tillë do të na mundësohet që të vazhdojmë deri në fund të gjithë t’i vizitojmë”- tha avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.

Avokati i popullit edhe më tej do të ndjekë gjendjen e të arrestuarve në aksionin në Kumanovë për të mos lejuar që të shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut. (Rexhep Qamili, TVM2)