Maqedoni

DMSh: Zjarri në Jasen ende aktiv, veprohet edhe me helikopter

19.08.2025 13:48

Reshjet e shiut ndihmuan në përballjen me zjarret aktive në vend....

Reshjet e shiut ndihmuan në përballjen me zjarret aktive në vend. Për momentin aktiv është një vatër zjarri, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza. Zjarret e shuara janë në komunën e Manastirit dhe në komunën e Strumicës. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh), Stojançe Angelov, informoi se zjarri që ka përfshirë një pjesë të pyllit në një zonë malore, si dhe zonën e gjuetisë “Jasen” ende nuk është shuar plotësisht. Terreni është i vështirë dhe i paarritshëm, gjë që e bën të rrezikshëm dërgimin e njerëzve për ndërhyrje të drejtpërdrejtë, thotë Angelov. 
 
“Sasia e tymit është zvogëluar, por flakët vazhdojnë të jenë të dukshme në disa pika. Në terren po veprojmë me mekanizim të specializuar, traktorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe jemi të përqendruar në një pikë kritike. Gjithashtu, nga ana e kundërt të terrenit vërehen edhe disa vatra të tjera. Terreni është jashtëzakonisht i vështirë dhe i paarritshëm, i mbuluar me pyll të dendur, gjë që e bën të rrezikshme dërgimin e njerëzve për ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Për këtë arsye, fokusi ynë është përdorimi i mekanizimit dhe helikopterëve policorë, me qëllim që gradualisht të vendosim nën kontroll të gjitha pikat kritike të zjarrit.”, - u shpreh drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
 
Siç bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza, për shkak të zjarrit në Parkun Kombëtar “Jasen”, rruga rajonale “Makedonski Brod” - Shkup mbetet ende e mbyllur për të gjitha llojet e automjeteve. Pavarësisht qetësimit të përkohshëm të zjarreve në vend, autoritetet e vendit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë pjesës së mbetur të stinës së verës dhe në qoftë se vërejnë zjarre aktive menjëherë t’i denoncojnë ato.
 
Ndërkohë nga Enti Hidrometeorologjik paralajmërojnë se deri të premten do të ketë mot stabil me rritje të temperaturave gjatë ditës. Do të fryjë erë mesatare e përforcuar nga drejtimi jugor. Gjatë fundjavës, moti do të jetë i ndryshueshëm dhe me vranësira, si dhe kushte për reshje lokale dhe bubullima. Përgjatë lumit Vardar do të ketë erë të përforcuar nga drejtimi verior, ndërsa temperaturat e ditës do të jenë në rënie.
 
ABIBE QAILI