Rajon
Protesta antiqeveritare në Serbi, Vuçiqi thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare
19.08.2025 14:09
Incidente të reja në protestat në Serbi nga protestuesit antiqeveritar....

Incidente të reja në protestat në Serbi nga protestuesit antiqeveritar. Gaz lotsjellës dhe bomba tymi dhe shumë arrestime në Beograd. Gjithçka kishte filluar qetë deri në momentin kur disa të rinj të ndarë nga grupi i protestuesve filluan të gjuajnë me gurë në drejtim të Partisë Progresive Serbe në pushtet. Policia intervenoi dhe gjithçka filloi këtu, kur demonstruesit u përleshën me policinë. Presidenti Vuçiq, i cili vizitoi ambientet e shembura, njoftoi veprime më të shpejta dhe më të forta nga shteti dhe ndjekje penale të protestuesve.
"Duket se e kam prerë vetveten. Kjo tregon se me çfarë lloj banditësh dhe njerëzish të dhunshëm kemi të bëjmë. Njerëz që zakonisht nuk dinë çfarë të bëjnë me jetën e tyre. Kishte kaq pak prej tyre sonte, jo më shumë se 2.300 persona. Por, ne nuk do të largohemi nga rruga, nuk do të tërhiqemi, do të ikim. Përkundrazi, do të shkojmë kudo, do të shfaqemi kudo dhe do ta ngremë rezistencën tonë kudo.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ministri i Policisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se disa persona janë arrestuar, e disa janë duke i identifikuar.
"Deri më tani janë arrestuar 5 persona. Të gjithë ata që kanë kryer krime dhe akte dhune do të sanksionohen dhe do t'u dorëzohen prokurorëve për procedura të mëtejshme. Procesi i identifikimit të të gjithë të përfshirëve ka filluar, i të gjithë atyre që treguan agresion, brutalitet dhe huliganizëm të paparë. Në këtë kuptim, unë edhe njëherë bëj thirrje për paqe. Shteti është më i fortë se të gjithë ata që bëjnë thirrje për dhunë.", - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.
Por, edhe përskaj të gjitha këtyre paralajmërimeve, protestuesit janë të bindur dhe qartë kanë definuar që të vazhdojnë me protesta.
“Dita e çlirimit po afrohet dhe kjo Qeveri do të jetë e detyruar të pranojë jo vetëm zgjedhje të përgjithshme, por edhe ta pranojë faktin se kjo shoqëri është ngritur dhe po e kundërshtojnë këtë sistem, dhe ne nuk mund ta vazhdojmë të jetojmë në këtë sistem.”, - tha një protestues.
“Këtu jam për t’i përkrahur studentët dhe të shprehin pakënaqësinë time për situatën momentale dhe nga sjellja brutale e policisë gjatë ditëve të kaluara, dhe kjo po tregon se po jetojmë në një vend pa ligj dhe pa Kushtetutë.”, - tha një protestues tjetër.
Për sonte është paraparë të mbahet mbledhja e Këshillit për Siguri Kombëtare me të cilën do të udhëheqë vet Vuçiqi. Kjo mbledhje është thirrur pasi protestat janë antiqeveritare, të cilat kanë eskaluar gjatë ditëve të fundit dhe të cilat po zgjasin nga muaji nëntor.
FITIM KRYEZIU
