Botë
Trampi synon të riorganizojë takimin Zelenski - Putin
19.08.2025 14:20
Tramp po punon për një takim ballë për ballë mes presidentit rus Vlladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski

Pas takimit me presidentin ukrainas Zelenski dhe liderët evropian, presidenti amerikan, Donald Tramp, po punon për një takim ballë për ballë mes presidentit rus Vlladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski. Për këtë qëllim, Trampi telefonoi Putinin për një takim të mundshëm me Zelenskin. Gjatë takimit me Zelenskin, Trampi konfirmoi se do të ofrojë garanci sigurie për Kievin.
“Ne tashmë po punojmë për organizimin e takimit. Nëse shkon mirë, takimi i ardhshëm do të jetë mes Putinit, Trampit dhe Zelenskit, ku shpresojmë të finalizojmë marrëveshjen. Fakti që tani po flasin me njëri-tjetrin, nuk kishte ndodhur për tre vjet e gjysmë.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Presidenti ukrainas Zelenski ka shprehur gatishmëri për bisedime me presidentin rus, Putin.
“Jemi të përgatitur për çfarëdo formati në nivel liderësh, sepse vetëm kështu mund t’i zgjedhim të gjitha çështjet e ndërlikuara dhe të dhimbshme. Çështjen e territoreve do ta lë mes meje dhe Putinit.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Liderët evropianë kanë mbetur të kënaqur nga takimi në Shtëpinë e Bardhë. Angazhimi i ShBA-së për sigurinë e Ukrainës garanton rezultatin kyç të bisedimeve në Uashington, vlerësojnë liderët evropianë.
“Ramë dakord për disa pika të rëndësishme. E para dhe më e rëndësishmja është angazhimi i ShBA-së për zhvillimin e mëtejshëm të planeve të sigurisë.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
“Koalicioni i të gatshmëve tani do të bashkëpunojë me ShBA-në për koordinimin e këtyre garancive. Ne tashmë kemi angazhuar ekipet tona. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë në Ukrainë, në Evropë dhe për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.”, - deklaroi kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer.
“Bisedime të vërteta mund të mbahen vetëm në një samit ku merr pjesë edhe vetë Ukraina. Një samit i tillë është i mundur vetëm nëse armët heshtin. A do të ketë guxim presidenti rus të marrë pjesë në një samit të tillë, nuk e dimë. Prandaj, është e nevojshme bindja.”, - theksoi kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merc.
“Ajo që diskutojmë nuk është anëtarësimi në NATO, por garanci sigurie të tipit të Nenit 5 për Ukrainën. Çfarë saktësisht do të përfshijnë ato, do të diskutohet në ditët në vijim. Është e qartë se për Ukrainën të mendojë çfarë do të bëjë më pas në lidhje me territorin, është e rëndësishme të dihet edhe se si do të duken garancitë e sigurisë.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, e ka lëvduar presidentin amerikan Tramp për vullnetin që të ndërmjetësojë për paqe në Ukrainë. Ai për mediat në Rusi ka thënë se në takimin Tramp-Putin ishte e qartë se lideri i ShBA-së dhe ekipi i tij sinqerisht e dëshiron arritjen e rezultatit që do të jetë afatgjatë, i qëndrueshëm dhe i sigurt. Sipas Lavrovit, Rusia nuk ka synuar kurrë thjesht të pushtojë territore në Ukrainë, qoftë në Krime, Donbas apo Novorosia, por qëllimi i saj ka qenë të mbrojë rusët që historikisht kanë jetuar në këto troje.
GYLTENE SINANI
