Maqedoni

Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, studimet gjuhësore sjellin perspektivë, tregut i nevojiten gjuhëtarë cilësorë

19.08.2025 14:54

Regjistrimi i studentëve të rinj ka filluar edhe në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare...

Regjistrimi i studentëve të rinj ka filluar edhe në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare pranë fakultetit filologjik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.  Sipas konkursit të shpallur do të duhet të regjistrohen këtë vit gjithsej 60 studentë në dy drejtimet studimore. Përgjegjësi i kësaj katedre, Ismet Osmani, për TVM2 thotë se prej tyre 30 do të jenë me kuotë shtetërore dhe 10 me vetëfinancim, ndërsa programi i përkthimit përshin 20 studentë prej të cilëve 10 me kuotë shtetërore dhe 10 me vetëfinancim.
 
“Deri tani interesimi është i mirë, i kënaqshëm dhe presim që edhe nesër kuptohet interesimi të rritet, ndoshta dhe do të ketë numër më të madh të kandidatëve. Deri tani janë regjistruar diku rreth 15 studentë për gjuhë dhe letërsi dhe rreth 3  ose 4 studentë janë regjistruar në grupin e përkthimit, që do të thotë presim edhe gjatë ditës së nesërme që të regjistrohen edhe të ketë të interesuar edhe kandidatë të tjerë.”, - deklaroi përgjegjësi i Katedrës së  Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në  Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Ismet Osmani.
 
Për dallim nga vitet e kaluara akademike, këtë vit profesori Osmani thotë se po vërehet interesim pak më i madh për këto studime. Pavarësisht kësaj, Osmani u bën thirrje maturantëve që të ndjekin studimet gjuhësore amë, për shkak se është drejtim që u sjell perspektivë dhe benefite të mëdha. 
 
“Për katër - pesë vitet e fundit me keqardhje mund të them se është ulur numri i studentëve që janë regjistruar në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë, por ne shpresojmë që si këtë vit, ky numër mund edhe të rritet. Nuk i dihet ende se është herët për të dhënë numër të saktë dhe presim gjatë këtyre ditëve ndoshta do të ketë rritje numrit të studentëve. Për fat të keq nuk kemi bursa, presim që ta diskutojmë këtë çështje në të ardhmen, sidomos për grupin e përkthimit.”, - theksoi përgjegjësi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Ismet Osmani.
 
Në pyetjen se inteligjenca artificiale po merr gjithnjë e më shumë jehonë  të madhe, a rrezikohet puna dhe e ardhmja e përkthyesve, përgjegjësi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare potencon se për realizimin e përkthimeve nevojiten kuadro të shkolluara dhe cilësore. 
 
“Për kundër asaj që është e përsosur, megjithatë inteligjenca artificiale ose chat GPT nuk mund ta përkthejë prozën dhe poezinë, dhe poezia patjetër  duhet të ketë një dorë korrektuese nga një gjuhëtar.”, - u shpreh përgjegjësi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Ismet Osmani.
 
Afati i dytë i regjistrimeve do të mbahet më 11 dhe 12 shtator, ndërsa afati i tretë më 24 shtator, ndërsa përgjegjësit shpresojnë se brenda këtyre afateve do të plotësohen vendet e lira për programin studimor gjuhë dhe letërsi shqipe. Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup ka 54 vite nga themelimi dhe është institucion i parë i vetëm në gjuhën shqipe, e cila i ka dhënë orientim kombit shqiptar, pavarësisht rrethanave dhe kohëve të vështira në të kaluarën.


REXHEP QAMILI