Maqedoni
MPB, arrestime për drogë dhe armë
19.08.2025 15:10
Ministria e Punëve të Brendshme ka realizuar dy aksione të ndara në Koçan dhe rrethinë...

Ministria e Punëve të Brendshme ka realizuar dy aksione të ndara në Koçan dhe rrethinë, duke arrestuar tre persona për posedim të drogës.
"Në vendin e quajtur "Zona Industriale" në Koçan, zyrtarët e policisë kanë kontrolluar personin dhe automjetin BMW me targa të Koçanit që ai drejtonte, gjatë së cilës kanë gjetur dhe konfiskuar marihuanë, një mulli të mbushur me marihuanë dhe një peshore digjitale.", njoftojnë nga MPB.
Me urdhër të gjykatës u kontrollua edhe shtëpia e tij, ku u gjetën sasi shtesë droge dhe mjete të tjera që dyshohet se lidhen me veprimtari penale. Më vonë, në orët e mbrëmjes në fshatin Gërdovcë, policia ndaloi një automjet “Volkswagen Golf” me targa zvicerane, ku udhëtonin dy persona nga Vinica, G.P. (32) dhe A.A. (29). Pasagjeri hodhi nga dritarja një paketim me marihuanë, i cili u sekuestrua. Gjatë kontrollit në veturë u gjetën sasi të tjera marihuane, lëndë pluhuri e bardhë dhe një grinder. Të tre personat u privuan nga liria dhe pas bisedës zyrtare me prokurorin publik, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.
Veç tyre policia ka realizuar një tjetër operacion në rajonin e Vallandovës. Në fshatin Kazandol u ndalua 39-vjeçari E.A. Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të tij, të kryer me urdhër të Gjykatës Themelore të Gjevgjelisë, policia gjeti 11 kërcej kanabisi, disa qese me marihuanë, një karabinë me repetitor, fishekë, një granatë dore të tipit të vjetër dhe sende të tjera me mbetje droge. I dyshuari u privua nga liria dhe po mbahet në stacionin policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihen kallëzime përkatëse.
FLORIJE KAMBERI
