Maqedoni

Numri i këshilltarëve komunalë, KShZ-ja nuk i miraton udhëzimet

19.08.2025 15:24

KShZ-ja nuk miratoi udhëzimet për plotësimin e formularit për listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave komunale dhe Qytetit të Shkupit...

Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk miratoi udhëzimet për plotësimin e formularit për listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave komunale dhe Qytetit të Shkupit, pasi anëtarja e KShZ-së, Ditmire Shehu, kërkoi që vendimi të miratohet me konsensus, unanimisht, duke iu referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor, të cilat, siç tha ai, parashikojnë që një anëtar i Komisionit mund të kërkojë një votim të tillë nëse vendimi ka të bëjë me komunitetet jo-shumicë. Për Shehun është kontroverse të miratohen udhëzime të tilla bazuar në një vendim ekzistues të Qeverisë, i cili, siç theksoi ai, uli numrin e këshilltarëve bazuar në regjistrimin e popullsisë që ndan popullsinë në rezident dhe jorezident. Sipas saj, numri i këshilltarëve në komuna dhe Qytetin e Shkupit përcaktohet në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe jo në përputhje me një vendim të Qeverisë.
 
“Me siguri edhe ju, siç unë e kam vërejt se kemi dy vendime, edhe Ligjin edhe vendimin e Qeverisë. Duke krahasuar vendimin e Qeverisë dhe Ligjin për Pushtet Lokal mund të shohim se ka dallime të mëdha. Neni 33 i Ligjit për Pushtet Lokal paragrafi 2 e potencon se zgjedhja e anëtarëve të Këshillit rregullohet me ligj, pastaj neni 34 e cakton numrin e këshilltarëve nëpër komuna. Pastaj e shohim vendimin e Qeverisë që më duket pak absurd, pasi që vet vendimi i Qeverisë bazohet në nenin 34 të pushtetit lokal, prandaj ta respektojmë ligjin për pushtet lokal.”, - deklaroi anëtarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
 
Por, ky propozim i Shehut mori pëlqimin e anëtarit tjetër shqiptar, por këto dy votat e anëtarëve shqiptarë u mbivotuan nga pesë votat e anëtarëve maqedonas. Por, kryetari i këtij komisioni, Boris Kondarko, theksoi se KShZ-ja nuk ka bazë juridike që të vlerësojë vendimet e institucioneve tjera.
 
“Unë nuk kam bazë të përfshihem në diskutim, sepse KShZ-ja nuk ka bazë juridike të vlerësojë vendimet e institucioneve tjera. Njëjtë, edhe zgjedhjet e kaluara lokale në vitin 2021 janë mbajtur në bazë të vendimit të sjellë nga ana e Qeverisë në vitin 2004, ku Qeveria ka caktuar numrin e këshilltarëve nëpër komuna. Prandaj, pa marrë parasysh se si është vendimi i Qeverisë, a është i drejtë apo jo i drejtë, për momentin të njëjtën e kemi në fuqi, dhe ka institucione tjera të cilat duhet ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e këtij ligji, dhe jo ne ta bëjmë të njëjtën. Prandaj, ne nuk kemi mekanizëm tjetër, mos të veprojmë në bazë të vendimeve të cilat na sillen.”, - theksoi kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.
 
Por, Shehu kërkoi që KShZ-ja t’i drejtohet Qeverisë për sqarime shtesë, sepse ky udhëzues është kontradiktor me Ligjin.
 
“Unë mendoj se më mirë do të ishte që ne t’i drejtohemi Qeverisë dhe të kërkojmë shpjegim se në bazë të cilit vendim e ulin numrin e këshilltarëve, por nuk mund të jetë në përputhje me Ligjin për Pushtet Lokal, dhe shkelja e dytë bëhet nëse ne e pranojmë këtë vendim të Qeverisë, sepse nëse e pranojmë këtë, atëherë duhet ta largojmë nga fuqia Ligjin për Pushtet Lokal, sepse nuk mund që numri i këshilltarëve të caktohet edhe në bazë të vendimit të Qeverisë, edhe në bazë të Ligjit për Pushtet Lokal.”, - u shpreh anëtarja e KShZ-së, Ditmire Shehu. 
 
Pas kësaj, KShZ-ja vendosi që të kërkohet vendim nga sektori juridik dhe seanca të mos mbyllet, dhe gjatë ditëve në vazhdim të japin shpjegime plotësuese. 
 
FITIM KRYEZIU