Rajon

Kosovë: Kushtetuesja publikon aktgjykimin, të mërkurën do të vazhdojë seanca konstituive

19.08.2025 15:40

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në ora 11:00 do të vazhdojë seanca konstituive....

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese në gazetën zyrtare, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në ora 11:00 do të vazhdojë seanca konstituive. Ndërkohë presidentja e Kosovës e ka cilësuar këtë proces si “urgjencë shtetërore” dhe ka kërkuar konstituimin e menjëhershëm të institucioneve, duke theksuar se vonesat po dëmtojnë kredibilitetin dhe përparimin e shtetit të Kosovës.
 
“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve. Zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare.”, thuhet nga presidenca e Kosovës.  
 
Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se me aktgjykimin e fundit Kushtetuesja rishkroi Kushtetutën.
 
“Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë. Në bazë të "tezës" së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses. Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane dhe botërore, as nuk kërkoi mendime të gjykatave kushtetuese homologe për krahasueshmëri rastesh. Një rast, pra, si asnjë rast tjetër.”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje. 
 
Nga ana tjetër PDK, LDK e AAK thonë se bllokuese e konstituimit të Kuvendit është Vetëvendosje. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin.
 
“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të kryesuesit të seancës konstituive. Ndërkohë, kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit - me votim të hapur.  Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime.”, thekson Krasniqi. 
 
Ndërkohë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Gjykata Kushtetuese vërtetoi qëndrimin e LDK-së, se veprimet e kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit.
 
“Për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit tejkaluan kompetencat, shkelën Kushtetutën dhe penguan konstituimin e institucioneve të vendit. Gjykata riafirmoi qartë se as kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë. Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tre herë për një kandidat dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor.”, thekson Abdixhiku.
 
Vetëvendosje ka paralajmëruar se Albulena Haxhiu do të jetë përsëri kandidatja e tyre për kryeparlamentare, por ajo nuk e ka përkrahjen e deputetëve të LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe Nismës. Kjo e fundit e dëshiron këtë post për kreun e saj, Fatmir Limaj. LDK ka thënë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidaturë të Vetëvendosjes, derisa AAK dhe PDK kanë shprehur gatishmëri për të votuar disa nga deputetët e Vetëvendosjes për kryeparlamentarë, por jo Albulena Haxhiun. 
 
GYLTENE SINNAI