Maqedoni

Modernizohet sistemi elektronik i dokumenteve, Andonovski: Vihet në funksion deri në fund të vitit

19.08.2025 15:58

Sistemi elektronik kombëtar për menaxhim me dokumente eDMS...

Sistemi elektronik kombëtar për menaxhim me dokumente eDMS, i cili është kyç për administrimin digjital dhe funksionimin e drejtorisë publike, do të jetë tërësisht i ridizejnuar dhe modernizuar. Këtë e tha ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sipas të cilit, sistemi i cili tashmë po përdoret vetëm në 20 institucione, është treguar jostabil, joadekuat dhe pa përkrahje adekuate teknike dhe sajber standarde të sigurisë.
 
"Kur e ndërmorëm përgjegjësinë për sistemin, gjetëm një situatë që nuk i plotësonte nevojat as të qytetarëve, e as të institucioneve. Bëhet fjalë për sistem shumë të shtrenjtë, por jofunksional që përdoret vetëm në 20 institucione. Në dy vitet e fundit, nuk ka pasur mbështetje teknike, mirëmbajtje apo zhvillim. Nuk kishte standarde të sigurisë kibernetike dhe askush nuk kujdesej për sigurinë e sistemit. Ndërprerjet dhe rrëzimet e shpeshta e bënin sistemin të paqëndrueshëm. Ai përdorej ekskluzivisht si një kabinet arkivor elektronik, pa përdorimin e arkivimit ose përpunimit digjital të dokumenteve.", - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
 
Në këtë drejtim, ministria njëherësh ndërmori edhe masat e para konkrete për miratimin e një ligji të ri për operacione arkivore, sipas standardeve evropiane dhe kryerjen e testeve të depërtimit për sigurinë, tha Andonovski.  
 
"Në muajt e fundit kemi ndërmarrë masa konkrete. Së pari, miratuam një ligj për operacionet arkivore në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian, i cili e detyron administratën të punojë në formë elektronike. Për herë të parë kemi kryer test depërtimi të sistemit eDMS për t'i zbuluar dhe adresuar dobësitë e sigurisë. Këtë mëngjes morëm informacionin fillestar, i cili tregon vërejtje kritike, por ata janë në masë të madhe rezultat i mirëmbajtjes së papërshtatshme në periudhën e kaluar.", - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski. 
 
Në këtë sistem planifikohet të përfshihen shumë institucione, ministri, agjenci dhe ndërmarrje publike të reja, disa prej tyre veç më kanë konfirmuar kyçjen në të. Qëllimi kryesor i këtij sistemi është që të eliminojë plotësisht dokumentet të printuara në formë të letrës, ku qytetarëve do t’u sigurohet përpunim i plotë elektronik, krijimi i automatizuar i vendimeve, njoftimeve dhe certifikatave me nënshkrime dhe vula elektronike. Ky sistem për vendin tonë do të thotë harmonizim i tërësishëm  me standardet e BE-së dhe agjendën e reformave, e cila parashikon përfshirje e një sistemi të tillë të vetëm për menaxhimin e dokumenteve në të gjitha institucionet shtetërore deri në vitin 2028, në përputhje me ligjin për punë arkivore.
 
REXHEP QAMILI