Botë

Vijojnë sulmet ajrore në Gazë, punohet në arritjen e armëpushimit

19.08.2025 16:08

Intensifikohen sulmet ajrore izraelite në Gazë, prej ku vdekjen e kanë gjetur dhjetëra persona dhe disa janë plagosur..

Intensifikohen sulmet ajrore izraelite në Gazë, prej ku vdekjen e kanë gjetur dhjetëra persona dhe disa janë plagosur, raportojnë mediat e atjeshme, ndërkaq në këtë zonë mbizotëron ende uria dhe vuajtja. Jerusalemi konfirmon se ka marrë një përgjigje nga Hamasi për propozimin e fundit nga ndërmjetësuesit arabë për një armëpushim. Izraeli ka njoftuar edhe  për planet për të ripushtuar qytetin e Gazës dhe zona të tjera. 
 
“Hamasi për herë të parë pas disa javësh mosgatishmërie për të diskutuar ndonjë marrëveshje për lirimin e pengjeve, papritmas po pranon. Arsyeja është e qartë dhe e shohim në diskutimet e tanishme. Vetëm nga frika e tyre se ne synojmë seriozisht të pushtojmë Gazën, ata janë të gatshëm të diskutojnë një marrëveshje.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Izrael Kac. 
 
Përpjekjet për t’i ndalur përkohësisht luftimet kanë marrë vrull gjatë javës së fundit, sidomos pas njoftimit të Izraelit për një ofensivë të re që ka për synim të rimarrë kontrollin e qytetit të Gazës. Ndërkohë për të zbutur urinë dhe lehtësuar krizën ushqimore në territorin palestinez, një anije e mbushur me 1.200 tonë furnizime ushqimore është nisur nga Qiproja  për  në Rripin e Gazës. Nga tetori i vitit 2023, ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 62.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, shifra që konsiderohen të besueshme nga institucionet ndërkombëtare.
 
NERMN MULAKI FEJZULLAHU