Maqedoni

Ivanovska në Prokurori paditet për punë të pandërgjegjshme

19.08.2025 16:11

Mënyra se si Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i ka hapur lëndët dhe komunikimi me publikun...

Mënyra se si Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i ka hapur lëndët dhe komunikimi me publikun, janë arsyeja se pse ish-kryetarja e këtij komisioni, Biljana Ivanovska, po ballafaqohet me kallëzim penal. Këtë ajo e zbuloi pas bisedës së realizuar në Prokurorinë Publike, prej ku nuk dëshiron të publikojë emrin e personit që ka ngritur padinë, por që sqaroi se lënda e KShPK-së për të cilën është ftuar në Prokurori është hapur me iniciativë të një anëtari tjetër dhe e njëjta është mbyllur në mungesë të dëshmive. Vetëm se ka qenë kryetare e Komisionit për Antikorrupsion dhe i ka nënshkruar vendimet ngarkohet për veprën penale punë të pandërgjegjshme.
 
“Me rëndësi është se ia shpjegova mënyrën se si vepron KShPK-ja, cili është roli i kryetarit të Komisionit. Unë si kryetare i nënshkruaj vendimet që miratohen në mënyrë kolektive nga ana e Komisionit. Periudha para zgjedhjeve gjithmonë është mundësi që të shohim se deri ku qëndrojmë me rritjen dhe pjekurinë tonë. Kjo është njëra nga këto leksione. Unë dua të besoj se ne do të ecim para në proceset tona demokratike.”, - deklaroi ish-kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
 
Padia ndaj saj është dorëzuar më 18 shkurt, ndërsa vonesa e dorëzimit të padisë dhe përputhja e saj me shpalljen e kandidaturës për kryetare të komunës Qendër, sipas Prokurorisë ka qenë rastësi. Ish-kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, si kandidate aktuale e pavarur për kryetare të komunës Qendër mbështetet nga iniciativa qytetare "Të pavarur së bashku".
 
FLORIJE KAMBERI