Botë

Lufta kundër ekstremizmit, në Tiranë nis punimet Samiti Rajonal

19.05.2015 15:22

Në Tiranë ka nisur punimet Samiti Rajonal kushtuar luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm...

Në Tiranë ka nisur punimet Samiti Rajonal kushtuar luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku të pranishëm janë edhe zyrtarë nga ShBA dhe vendet e BE-së.
 
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë,  Saimir Tahiri, kërkon një bashkëpunim më të mirë rajonal, duke pasur parasysh këtu faktin se fenomene të tilla nuk njohin kufij. 
 
“Sot nuk mund të thuhet se ka një vend të vetëm në botë që është imun ndaj kërcënimit të terrorizmit. Edhe Ballkani si i tillë, duket sikur për momentin vetëm eksporton rrezik, që janë luftëtarët e huaj, dhe ky është një problem që jo pak ka shqetësuar shoqëritë tona. Por, unë besoj se nuk është e largët dita kur problemi që sot eksportojmë të jetë një problem që nesër të vijë në shtëpinë tonë”- deklaroi ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sajmir Tahiri.
 
Nënsekretarja amerikane e Shtetit, e pranishme në këtë samit, ka nënvizuar po ashtu se në luftën kundër ekstremizmit duhet të përfshihen edhe komunitetet fetare dhe biznesi. 
 
“Ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale. Të bashkojmë forcat për një dialog fetar. Nevojiten strategji për të arritur qëllimin. Terroristët nuk i njohin kufijtë. Të bashkëpunojmë të gjithë së bashku për ta ndalur rekrutimin. Të parandalojmë që fëmijët tanë të bëhen terroristë. Duhet të riafirmojmë vlerat tona kyçe”- tha sekretarja për siguri civile, demokraci dhe të drejta të njeriut–ShBA, Sarah Seval.
 
Në Samitin kundër terrorizmit në Tiranë po merr pjesë aktive edhe kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
 
Sipas tij, BFI ka zgjedhur një strategji që ka si qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve  rreth Islamit të vërtetë dhe kauzës jo të drejtë të luftës që bëhet duke propaganduar Islamin e shtrembëruar.
 
Shtylla tjetër e projektit është reduktimi i barrierave sociale që çojnë në diskriminim dhe margjinalizimin e grupeve të tëra të popullsisë.
 
Përjashtimi social që krijohet nga diskriminimi i vazhdueshëm i këtyre grupeve krijon mundësi të rritura për radikalizim dhe përfshirje në vatrat e luftës, tha Rexhepi në fjalën e tij, duke shtuar se ende duhet bërë më shumë përpjekje për të luftuar terrorizmin dhe dhunën, e këto përpjekje përfshijnë jo vetëm dimensionet fetare, por edhe ato ekonomike dhe sociale.
 
SANIJE KASAMI