Maqedoni
Zjarret, 12 vatra gjatë orëve të fundit, 2 zjarre aktive, njëri prej tyre në Parkun Kombëtar “Jasen”
20.08.2025 13:35
Assesi të shuhen të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit tonë janë regjistruar gjithsej 12 zjarre....

Assesi të shuhen të gjitha zjarret në vend. Brenda 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit tonë janë regjistruar gjithsej 12 zjarre. Prej tyre 8 janë shuar tërësisht, ndërsa dy janë akoma aktive edhe gjatë ditës së mërkurë. Vatra aktive ka në fshatin Kalldirec të Kitkës në komunën e Studeniçanit, ndërsa më i vështirë për t’u vënë nën kontroll dhe për t’u shuar është zjarri në Parkun Kombëtar “Jasen”, ku tashmë disa ditë po digjet një zonë e konsiderueshme pyjore. Ky zjarri gjatë natës iu është afruar rrugës pyjore që shpie deri te porta hyrëse e rezervarit “Jasen” dhe restorantit në bregun e liqenit Kozjak, por falë intervenimit të shpejtë të autoriteteve nuk u lejua që ai të përhapet edhe më shumë.
“Gjatë mbrëmjes së kaluar ne patëm betejë të ashpër me zjarret, anëtarë të njësisë për vendosje të shpejtë me pinzgauer, punonjës në rezervatin "Jasen", zjarrfikës nga Shkupi dhe Makedonski Brodi, si dhe një ekip nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët me forca të përbashkëta nuk lejuan që zjarri të kalonte në anën tjetër të rrugës. Herët në mëngjes filloi edhe një operacion specifik për të krijuar një rrip të ri kundërzjarrit në pjesën që zbret drejt liqenit, siç e shihni mbrapa meje, me qëllim ndalimin e plotë të zjarrit. Pavarësisht tymit të dendur, një helikopter policie dhe një helikopter ushtarak kanë qenë në veprim që herët në mëngjes, ndërsa pritet të bashkohet edhe një air traktor nga DMSh-ja sapo të pastrohet dukshmëria.", - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Në terren, siç theksoi Angellovi, janë edhe forca speciale nga ushtria dhe policia, respektivisht njësitë elitare “ujqit” dhe “tigrat”, të cilët së bashku me ekipet tjera po punojnë në kushte të rrezikshme për të hapur këtë rrip, që do të kontribuojë në shuarjen e zjarrit në zonë malore.
REXHEP QAMILI
