Maqedoni

Koncesioni për minierën “Kazandoll”, Miteva: RMV-ja fitoi arbitrazhin falë përkushtimit të Qeverisë

20.08.2025 13:57

Nga gjithsej tetë konteste të trashëguara dhe të hapura të arbitrazhit, Qeveria ka arritur tre prej tyre t’i përfundojë me sukses dhe në favor të vendit tonë....

Nga gjithsej tetë konteste të trashëguara dhe të hapura të arbitrazhit, Qeveria ka arritur tre prej tyre t’i përfundojë me sukses dhe në favor të vendit tonë. Kështu u shpreh zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, e cila, sipas përllogaritjeve, vendi ka kursyer rreth 516 milionë euro para buxhetore. Në mesin e arbitrazheve të fituara janë koncesioni për minierën në Kazandoll, ku vetëm për këtë janë kursyer gjithsej 115 milionë euro, por edhe procedura “SASA” në vlerë prej 45 milionë dhe procedura “Gama” kundër Maqedonisë së Veriut më vlerë prej mbi pesë milionë eurosh. Të gjitha këto janë përmbyllur me sukses falë angazhimit të kësaj qeverie dhe jo falë angazhimit të LSDM-së dikur teksa ka qenë në pushtet, tha Miteva.
 
“Kjo fitore nuk është vetëm një sukses ligjor, por edhe një mesazh i qartë se shteti mund të mbrojë interesat e saja, kur vepron në mënyrë të organizuar, me përkushtim dhe me punë serioze. Në periudhën e kaluar, trupi koordinues për procedurat e arbitrazhit ka bërë përpjekje maksimale - nga analiza e kujdesshme e dokumenteve dhe kontratave, deri te përgatitja e plotë me argumente ligjore - të cilat siguruan një pozicion të fortë dhe të qëndrueshëm në procedurë. Kur jemi te akuzat e rrejshme nga LSDM-ja se kjo procedurë arbitrazhi është fituar dhe përfunduar kur ata kanë qenë në Qeveri, atëherë presim përgjigje se pse në gjysmën e parë të prillit 2023 në Vjenë u zhvilluan negociata për një zgjidhje të mundshme për “Kazandollin”, midis përfaqësuesve të Qeverisë dhe paditësve, gjë që konfirmohet nga fakti se kjo Qeveri ka miratuar një vendim me të cilin refuzohet zgjidhja e propozuar.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. 
 
Koncesioni për shfrytëzimin e burimeve minerale në minierën “Kazandoll” u dha në vitin 2014, ndërsa në vitin 2017 pas rezistencës së madhe të banorëve të Vallandovës dhe sektorit civil, u mbajt edhe një referendum për të ndaluar ndërtimin e kësaj miniere nga ana e kompanisë ukrainase “Sardiq MC”. Një vit më vonë, respektivisht në 2018, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev vendosi të ndërpresë marrëveshjen e koncesionit, pasi që koncesionari nuk i kishte përmbushur kushtet e parashikuara në marrëveshje në afatin e paraparë kohor.
 
REXHEP QAMILI