Maqedoni

Zgjedhjet vendore, inspektimi i listës së votuesve do të fillojë të shtunën

20.08.2025 14:10

KShZ-ja ka bërë të ditur se inspektimi publik i Listës së Votuesve do të kryhet nga 23 gushti deri më 11 shtator...

Në pritje të zgjedhjeve lokale më 19 tetor, KShZ-ja ka bërë të ditur se inspektimi publik i Listës së Votuesve do të kryhet nga 23 gushti deri më 11 shtator. Qytetarët mund të paraqesin një kërkesë për regjistrim, shtim ose fshirjen e të dhënave në zyrat rajonale të KShZ-së, zyrat lokale ose me e-mail. E njëjta e drejtë u jepet edhe personave në paraburgim ose burg.
 
KShZ-ja është e detyruar t'i përgjigjet kërkesës brenda 24 orëve dhe qytetarët e refuzuar mund të ngrenë padi në Gjykatën Administrative, e cila vendos brenda së njëjtës periudhë. Kërkesa për dorëzimin e Listës së Votuesve duhet të dorëzohet nga partitë politike në KShZ në mënyrë elektronike, jo më vonë se 11 shtatori. KShZ-ja brenda tre ditëve (jo më vonë se 14 shtatori) nga dita e përfundimit të shqyrtimit publik, duhet t'ua dorëzojë Listën e Votuesve partive politike që kanë paraqitur kërkesën deri në ditën e përfundimit të shqyrtimit publik.
 
Deri më 19 shtator, partitë mund të paraqesin kërkesa për ndryshime, për të cilat KShZ-ja duhet të vendosë brenda tre ditëve. Deri më 18 shtator, Ministria e Brendshme, gjykatat dhe institucionet kompetente janë të detyruara të dorëzojnë të dhëna për votuesit e rinj, personat në paraburgim, institucionet e kujdesit dhe personat pa aftësi veprimi. Lista e përfunduar e votuesve duhet të nënshkruhet jo më vonë se 3 tetori.
 
OSBE/ODIHR do të dërgojë 274 vëzhgues për zgjedhjet lokale
 
Ndërkohë bëhet e ditur se OSBE-ja do të monitorojë zgjedhjet lokale. ODIHR-i do të dërgojë një mision vëzhgimi prej 24 vëzhguesish afatgjatë dhe 250 vëzhguesish afatshkurtër për zgjedhjet e tetorit, si dhe për raundin e dytë të mundshëm në nëntor. Vëzhguesit duhet të mbulojnë të gjitha fazat e procesit zgjedhor - pajtueshmërinë me kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij, regjistrimin e kandidatëve, menaxhimin e fushatës, mbulimin mediatik, financimin e fushatës, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve, si dhe frikësimin e mundshëm të votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore.
 
ABIBE QAILI