Maqedoni

Vazhdojnë sulmet mes partive politike, BDI: VLEN-i solli bankën serbe, premtoi shqiptaren

20.08.2025 14:22

Ditë e më afër zgjedhjeve vazhdojnë sulmet mes partive politike për premtime boshe dhe dështime...

Ditë e më afër zgjedhjeve vazhdojnë sulmet mes partive politike për premtime boshe dhe dështime. BDI sërish akuzon VLEN-in se në vend të Bankës shqiptare që e premtuan, sollën “Botën Serbe”. Sipas opozitës shqiptare, VLEN-i në vend se të garantojë kapital shqiptar dhe zhvillim ekonomik të barabartë, sektorin bankar dhe ekonominë po e dorëzon në duart e Beogradit. BDI riafirmon se Maqedonia e Veriut nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që sektori bankar dhe institucionet strategjike të kapen nga interesat destabilizuese të Beogradit.
 
“VLEN-i në programin zgjedhor të vitit 2024 premtoi themelimin e Bankës shqiptare me kapital dominues shqiptar, si garanci për fuqizimin ekonomik të shqiptarëve dhe zhvillimin e barabartë rajonal. Sot, në vend që të përmbushë këtë zotim, si shërbëtor i VMRO-së, VLEN-i ka hapur dyert për penetrimin e “Botës Serbe” në sektorin bankar të Maqedonisë së Veriut përmes “Alta Bank”. Ky nuk është investim i zakonshëm financiar, por projekt i drejtpërdrejtë politik dhe ekonomik i Beogradit për të marrë nën kontroll institucionet strategjike të vendit. Banka nuk është thjesht një kompani private, ajo është mekanizëm për ndikim politik.”.
 
VLEN: Promotore e kapitalit serb është BDI-ja
 
Kundërpërgjigjen nga VLEN-i. Prej atje thonë se pikërisht BDI-ja është vegël e Beogradit dhe promotore e kapitalit serb në Maqedoninë e Veriut.
 
“Në korrik të vitit 2021, pikërisht kur Bujar Osmani ishte ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa resorët kyç ekonomikë, si ekonomia dhe financat, ishin në duart e njerëzve të afërt të Ali Ahmetit, BDI i dha dritën jeshile kompanisë serbe “MTEL” për të hyrë në tregun tonë. Pa miratimin e tyre, kjo kompani nuk do të kishte marrë asnjë licencë. Po e njëjta qeveri, nën ndikimin e BDI-së, lejoi hyrjen e krimit të organizuar serb dhe malazez në industrinë e kazinove në Maqedoni. Nga tre licenca të dhëna, dy i përfunduan në duart e kompanive të dyshimta nga Serbia dhe Mali i Zi. Sot, kur BDI hipokritisht flet për rrezikun e kapitalit serb, qytetarët duhet të kujtojnë se ishin vetë ata që i hapën dyert dhe e futën këtë kapital të errët në vend.”.
 
Nga koalicioni VLEN akuzojnë BDI-në se po tenton haptazi ta destabilizojë shtetin, duke ndjekur një politikë shantazhi dhe bllokadash. Kjo strategji sipas partnerit qeveritar i shërben vetëm Serbisë dhe rrezikon rëndë orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU