Maqedoni

Ulja e pragut për listat e pavarura, Mickoski: Rezultat i vendimit të Kushtetueses

20.08.2025 14:37

Kryeministri Hristijan Mickoski në mbrojtje të vendimit të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve...

Kryeministri Hristijan Mickoski në mbrojtje të vendimit të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, që kandidatët e pavarur për kryetar komunash dhe lista për këshilltarë të mund t’i bashkëngjiten garës zgjedhore me dy nënshkrime të vetme. Mickoski thotë se vendimi është obligim kushtetues dhe Qeveria nuk din se çfarë mund të bëjë më shumë se kaq që të përmbushë kërkesat e të gjitha palëve.
 
“Më herët thonin se nevojiten shumë nënshkrime, tani thonë se janë pak nënshkrime. Nuk e di çfarë duhet të bëjmë ne si qeveri që të gjithë të jenë të kënaqur. Kjo është e pamundur. Kjo është rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi dy nene, në Parlament nuk u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Unë po e dëgjoj reagimin, por me të vërtetë si qeveri nuk e di se çfarë mund të bëjmë më shumë se kaq që të përmbushim kërkesat e tyre. Të na thonë se çfarë mund të bëjmë dhe do ta bëjmë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Prononcimi i Mickoskit erdhi pas kritikave të shumta nga ekspertë të cilët aludojnë për kaos në listat zgjedhore me numër të shumtë të kandidatëve, madje edhe emrave të rrejshëm. Kjo, sipas tyre, do të habiste votuesit gjatë votimit. Por, sipas rregullave të reja, pritet që dy nënshkrimet ta lehtësojnë kandidimin e personave pa mbështetje partiake. Vendimi i KShZ-së erdhi pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesë të Kodit Zgjedhor, të cilat kërkonin prag të lartë të mbështetjes qytetare për kandidaturat e pavarura në mbi 4 mijë nënshkrime.
 
MERAL ISMAILI