Maqedoni
Tragjedia e Koçanit, Mickoski: Gjyqësori ta zgjidhë sa më shpejt rastin
20.08.2025 14:54
Kur kanë kaluar tanimë 5 muaj nga tragjedia në qytetin e Koçanit, Mickoski dhe Toshkovski kanë theksuar se rasti i është lënë në dorë organeve të drejtësisë...

Kur kanë kaluar tanimë 5 muaj nga tragjedia në qytetin e Koçanit, kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, kanë theksuar se rasti i është lënë në dorë organeve të drejtësisë dhe kanë apeluar për zgjidhje të shpejtë të rastit të zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan.
“Unë jam përmbajtur që të komentoj gjatë kësaj kohe dhe do ta vazhdoj këtë praktik që të mos komentoj për këtë rast dhe do ta lëmë organet gjyqësore dhe të Prokurorisë që ta kryejnë procedurën. Me aq sa jam i informuar, padi e ngritur është në kuadër të notimit nga ana e gjykatave dhe nuk dua më shumë të komentoj.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Toshkovski: Jemi në pritje të vlerësimit të gjykatës
Kurse ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për servisin publik ka theksuar se pritet vlerësimi i Gjykatës për aktakuzën për tragjedinë e paprecedentë në diskotekën në Koçan dhe apeloi për drejtësi të shpejtë në mënyrë që të rikthehet shpresa në institucionet e shtetit.
“Prokuroria Publike ka dorëzuar padi për rastin konkret dhe tani jemi në pritje të vlerësimit nga ana e Gjykatës. Unë besoj dhe apeloj që të këtë drejtësi të shpejtë të këtij rasti. Institucionet janë të detyruara në çdo rast, por në veçanti të këtij rasti, ku i kemi humbur më shumë se 60 të rinj, ta kthejnë besimin tek çdo qytetarë të Maqedonisë, se drejtësi mund të ketë në këtë shtet.”, - theksoi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski.
Ministri Toshkovski po ashtu ka theksuar se ministria përkatëse ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ka ngritur kallëzime penale, ka vepruar sipas urdhrit të prokurorit publik dhe ia ka dorëzuar të gjitha provat Prokurorisë. Tragjedia e madhe e Koçanit ka ndodhur më datë 16 mars të këtij viti, në diskotekën “Puls”, ku jetën e kanë humbur 62 persona, ndërsa 193 të tjerë ishin të lënduar.
FITIM KRYEZIU
