Rajon

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu dhe Gërvalla nuk morën votat e nevojshme

20.08.2025 15:15

Kuvendi i Kosovës iu kthye seancës konstituive...

Kuvendi i Kosovës iu kthye seancës konstituive. Në fillim të seancës kryesuesi Avni Dehari sqaroi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
 
“Bazuar në këtë aktgjykim, kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të hapur, votimi për kandidatin e njëjtë mund të realizohet deri në tri herë, kryetari dhe nënkryetarët duhet të zgjidhen brenda 30 ditëve.”, - deklaroi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
 
Në vazhdimin e seancës, Vetëvendosje propozoi dy kandidatë për kryetarë, fillimisht Albulena Haxhiun dhe më pas Donika Gërvallën, por asnjëra nuk morën shumicën e nevojshme. Opozita së bashku me Listën Serbe ishte e bashkuar kundër Donika Gërvallës, vajzës së heroit kombëtar, Jusuf Gërvalla, reaguan nga Vetëvendosje. 
 
“Edhe sot para një Kosove të tërë e dëshmuan se nuk është Albulena Haxhiu problemi i konstituimit të Kuvendit, problemi është diku tjetër, janë marrëveshjet politike me Listën Serbe dhe grupet e caktuara të cilat nuk e duan në krye të Qeverisë kryeministrin, Albin Kurti.”, - deklaroi Faton Peci nga LVV.
 
Por, partitë opozitare përgjegjësinë për moskonstituimin e Kuvendit e shohin te Lëvizja Vetëvendosje. 
 
“PDK-ja, siç ka thënë prej fillimit, e përsërit qëndrimin e vet ne do të votojmë një kandidat të pranueshëm nga radhët e partisë së parë, që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
 
“Qëndrimet e LDK-së nga dita e parë dhe ditët në vazhdim kurdo që mblidhemi do të mbeten të njëjta, të pandryshueshme, parimore. LDK nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje politike dhe nuk dëshiron të mbështesë kandidat që nuk ka marrëveshje politike dhe nuk dëshiron të ketë marrëveshje në këtë drejtim.”, - u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
 
“Do të jetë ndonjë emër meqë kemi premtuar edhe pse me zhvillimet që po bëhen ndoshta se meriton asnjë kandidat i LVV-së ta ketë votën e opozitës dhe ndoshta duhet të shqyrtohet, por ne kemi ofruar alternativa që t’i kontribuojmë zhbllokimit të situatës.”, - theksoi Time Kadijaj nga AAK. 
 
Dy kandidaturat e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit nuk morën as përkrahjen e tre deputetëve të Nismës, të cilët votuan të përmbajtur. Kryesuesi i seancës e ndërpreu seancën për ta vazhduar pas 48 orësh.
 
GYLTENE SINANI