Maqedoni

Gjykim për ish-drejtorin e Shutkës, Andovi mohon fajin, seanca shtyhet

20.08.2025 15:38

Ish-drejtori i Burgut të Shutkës, Filip Andov, po gjykohet për shpërdorim të detyrës zyrtare...

Ish-drejtori i Burgut të Shutkës, Filip Andov, po gjykohet për shpërdorim të detyrës zyrtare, pasi dyshohet se u ka lejuar pesë të burgosurve të dalin jashtë për nevoja private. Në gjykatë ai deklaroi se gjatë tre viteve e gjysmë të menaxhimit nuk e ka shkelur Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe nuk ka rrezikuar sigurinë e burgut. Në proces janë të përfshirë edhe shtatë policë, të cilët, sipas Andovit kanë kryer detyrën me ndershmëri dhe po akuzohen padrejtësisht.
 
“Në asnjë rast nuk e kam shkelur ligjin e sanksioneve dhe asnjëherë nuk e kam rrezikuar sigurinë e burgut të Shkupit, këtë mund ta them. Për policët e burgut mund të them se e kanë bërë detyrën e tyre në mënyrë më të rregullt të mundur. Ata janë të akuzuar padrejtësisht.”, - deklaroi ish-drejtori i burgut, Filip Andov.
 
Seanca u shty për shqyrtimin e provave nga mbrojtja. 
 
“Shkaku për shtyrjen e kësaj seance është se një pjesë e të akuzuarve po sjellin fakte të reja, kështu që në seancën e radhës do t’i shqyrtojmë dhe do të shohim se si do të prononcohen dhe në çfarë mënyre do të prononcohet i akuzuari, Filip Andonov.”, - theksoi avokati, Stojan Angeleski.
 
Në seancën e ardhshme dëgjimore të pandehurit do të deklarojnë nëse ndihen fajtorë. Prokuroria pretendon se të akuzuarit, nga marsi deri në qershor të vitit 2024, u kanë mundësuar pesë të dënuarve të dërgohen në shtëpitë e tyre ose në lokacione të tjera për nevoja private, edhe pse atyre nuk u takonin favore të tilla.
 
ARMEND MURSELI