Maqedoni

Pushteti dhe opozita përplasen për keqpërdorim të mjeteve

20.08.2025 15:57

Edhe sot kanë vazhduar akuzat e ndërsjella mes dy partive më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM...

Edhe sot kanë vazhduar akuzat e ndërsjella mes dy partive më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM për keqpërdorimet e shumta të mjeteve. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, ka theksuar se skandali në Ministrinë e Brendshme me tenderin prej një milion dollarësh për organizimin e provimeve për patentë shofer, ka dyshime për korrupsion dhe duhet të sqarohet.
 
“Skandali në Ministrinë e Brendshme me tenderin prej një milion dollarësh për organizimin e provimeve për patentë shofer, ka dyshime për korrupsion dhe duhet të sqarohet plotësisht. Një kompani e sapokrijuar, pas së cilës qëndron një këshilltar i VMRO-DPMNE-së, mori një biznes prej një milion dollarësh nga Ministria e Brendshme. Praktikisht të gjitha provimet për patentë shofer në Manastir, Prilep dhe Resnjë iu besuan kësaj kompanie të afërt me Qeverinë, me një monopol pesëvjeçar. LSDM-ja reagoi ndaj këtij skandali, duke kërkuar reagime nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, nga Prokuroria Themelore dhe nga të gjitha institucionet kompetente.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska. 
 
Por, nga ana tjetër, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, ka vazhduar me akuzat në drejtim të LSDM-së për, siç tha, keqpërdorimet përmes programit Erasmus + me vlerë mbi 270 mijë euro.
 
“Parukierja gjatë kohës së Zoran Zaevit merr projekte për shkrim-leximin mediatik përmes Erasmus +, me vlerë mbi 270 mijë euro. Të kujtojmë se Zaevi dhe Dimova dhanë disa grante me vlerë mbi 270 mijë euro për shkrim-leximin mediatik, për një studio parukerie, gjatë një periudhe prej 3 vitesh. Pronarja e sallonit të parukerisë është një mikeshë e ngushtë e Lidija Dimovës, pra një ish-aktiviste qytetare dhe partiake e LDS-së. Nuk kishte, as nuk ka aktualisht ndonjë përgjegjësi për rastet e dyshimta, ku njerëz të afërt me LSD-në, ose anëtarë të partisë, gjyqtarë, profesorë, u mbushën me projekte me vlerë qindra mijëra euro.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Këto akuza dhe kundërakuza mes dy blloqeve të partive më të mëdha politike në bllokun politik maqedonas, por edhe tek ai shqiptar, për keqpërdorim të mjeteve financiare janë shpeshtuar në kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve lokale.   
 
FITIM KRYEZIU