Botë

Ushtria izraelite gati për ofensivën për pushtimin e Gazës

20.08.2025 16:17

U është dhënë dritë jeshile planeve të ushtrisë izraelite për pushtimin e Qytetit të Gazës...

U është dhënë dritë jeshile planeve të ushtrisë izraelite për pushtimin e Qytetit të Gazës, të cilat iu paraqitën mbrëmë shefit të Shtabit të ushtrisë izraelite, gjeneralit Ejal Zamir nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz. Për këtë ofensivë do të ftohen rreth 60 mijë rezervistë izraelitë duke filluar nga dita e sotme. Plani izraelit për marrjen nën kontroll qytetin e Gazës po avancon, ndërsa familjet e pengjeve kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Izraeli ka dhënë edhe miratimin final për projektin kundërthënës për ndërtimin e një vendbanimi në Bregun e pushtuar Perëndimor, që në praktikë do të ndante territorin palestinez në dysh.
 
Ky projekt, sipas palestinezëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut mund të shuajë shpresat për një shtet palestinez në të ardhmen. Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrih, ka thënë se miratimi i planit është kundërpërgjigje ndaj shteteve perëndimore që kanë njoftuar javëve të fundit se planifikojnë të njohin një shtet palestinez. 
 
“Shteti palestinez po fshihet nga tryeza jo me slogane, por me veprime. Çdo vendbanim, çdo lagje, çdo njësi banimi është një gozhdë në arkivol të kësaj ideje të rrezikshme.”, ka thënë ministri izraelit, Smotrih. 
 
Al-Ansar: Hamasi pret përgjigjen izraelite për armëpushim
 
Komuniteti ndërkombëtar gjerësisht konsideron se ndërtimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor është i paligjshëm dhe paraqet pengesë për paqe. Ndërkohë Hamasi ka pranuar një marrëveshje për armëpushim dhe po pret përgjigjen e Izraelit.
 
“Përgjigjja pozitive e Hamasit ka të bëjë me pothuajse gjithçka që më parë ishte dakorduar nga Izraeli gjatë bisedimeve të zhvilluara, por ende nuk kemi marrë një përgjigje nga pala izraelite. Prandaj, nuk mund të themi se është arritur një përparim i madh, megjithatë fakti që kemi një përgjigje pozitive nga Hamasi për marrëveshjen që ishte në tavolinë prej disa muajsh, është pozitive.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Maxhid Al-Ansari.
 
Netanjahu nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare për propozimin e fundit, por ka deklaruar se Hamasi është nën presion të madh përballë planeve ushtarake të paralajmëruara dhe se për këtë arsye tani kërkon armëpushim. Ndërkohë njoftohet se të paktën 33 palestinezë, përfshirë edhe ata që prisnin për ndihma, u vranë në sulmet që ushtria izraelite kreu në orët e mëngjesit në Rripin e Gazës. 
 
GYLTENE SINANI