Maqedoni
Protestat në Shkup, analistët: Pushteti do t’i ikë përgjegjësisë pas përgjimeve
19.05.2015 16:18
Protestat e mbrëmshme të pushtetit si kundërpërgjigje të protestave të opozitës janë asgjë më shumë vetëm se ikje të VMRO-së nga përgjegjësia pas zbardhjes së përgjimeve.

Është ky vlerësimi i analistëve politik, Selim Ibraimit dhe Denko Malevskit. Protestat qeveritare nuk organizohen në asnjë shtet normal dhe kjo, sipas Malevskit, flet për përshkallëzim të situatës politike në vend.
“Fakti që pushteti nuk është i gatshëm të pranojë përgjegjësinë për asgjë kriminele në majën e strukturave politike shtetërore, i prodhoi këto protesta, duke ua kthyer shpinën përgjimeve. Protestat si ato të mbrëmshmet nuk organizohen nga vetë shteti në asnjë vend normal dhe demokratik, por shteti u bën ballë protestave të opozitës”- deklaroi analisti politik, Denko Malevski.
Ndërsa analisti Ibrahimi thotë se çdo vazhdim i protestave lë hapësira për ndërhyrje të policisë ruse.
“Vazhdimi i protestave në skenën maqedonase qoftë edhe rajonit, është një shenjë jo e mirë në rast se ato do të vazhdojnë për disa muaj dhe nuk do të ketë zgjidhje të krizës së sigurisë dhe të asaj politike, pra kjo do të ishte një shenjë, një fushëbetejë për Ministrinë e Jashtme ruse, duke lëshuar deklarata për dhe rreth Maqedonisë”- tha analisti politik, Selim Ibraimi.
Analistët thonë se takimet e liderëve në Shkup nuk mund të jenë frytdhënëse pa ndërhyrje më të fuqishme ndërkombëtare.
“Kapaciteti i tyre është i venitur, por mendoj që ndërmjetësimi i amerikanëve dhe evropianëve është një ndër faktorët që e bën këtë dialog partiak më të fuqishëm”- theksoi analisti politik, Selim Ibraimi.
“Mua më duket se halli kryesor i komunitetit ndërkombëtar është që nëpërmjet këtyre takimeve të sigurohet se udhëheqësit tanë politik do ta mbajnë situatën nën kontroll, nuk do të krijojnë dhunë e cila do ta çonte vendin drejt jostabilitetit”- u shpreh analisti politik, Denko Malevski.
As ikja në Strasburg të liderëve maqedonas, Gruevski dhe Zaev, sipas analistëve, nuk do të sjellë epilog konkret për dalje nga kriza politike.
Sipas tyre, pas këtij takimi çështja e Maqedonisë pritet të shtyhet drejt një ndërmjetësimi më të madh nga Këshilli i Evropës.
MERAL ISMAILI
