Botë
Shqipëri, 3 investime të tjera nga plani i rritjes
21.08.2025 14:36
32 milionë euro të tjera grant do të përfitojë Shqipëria nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian...

32 milionë euro të tjera grant do të përfitojë Shqipëria nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për financimin e tre projekteve në sistemin energjetik, që do të financohen përmes Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Rreth 13.6 milionë euro Shqipëria do t’i marrë si grant për projektin e “Digjitalizimit të sistemit të transmetimit të energjisë”, që përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë.
Projekti i dytë është linja Rrashbull-Tiranë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një linje të re të transmetimit të energjisë në 400 kv, që lidh disa nënstacione elektrike.
Rikonstruksioni i hidrocentralit të Fierzës është projekti i tretë që do të marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian me afro 10.5 milionë euro grant nga BE-ja. Projekti është miratuar në qershor të vitit 2025 dhe do të përfundojë në korrik të vitit 2032.
Përmes planit të ri të rritjes ekonomike, BE-ja ka vënë në dispozicion të vendeve të rajonit 6 miliardë euro, me qëllim transformimin e ekonomisë së tyre.
LULJETA NDOKA
