Maqedoni
Raportoi për bombë në Aeroportin e Shkupit, padi penale ndaj 26-vjeçarit nga Kisella Voda
21.08.2025 14:17
Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal...

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar kundër 26-vjeçarit S.A. nga Shkupi, i dyshuar për veprën penale “terrorizëm”.
Sipas MPB-së, më 16 gusht 2025, në orën 02:41 pas mesnate, i dyshuari ka telefonuar në numrin 192 duke alarmuar se ishte vendosur një bombë në fluturimin Shkup-Antalia, që duhej të nisej nga Aeroporti i Shkupit, e që rezultoi alarm i rremë.
Më 20 gusht 2025, me urdhër gjyqësor është kryer kontroll në banesën e të dyshuarit në Kisella Vodë.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar sende që lidhen me ngjarjen, ndërsa ai është privuar nga liria. Në bisedë zyrtare në stacion policor, i riu e ka pranuar veprën.”, njofton MPB-ja.
Rasti është dorëzuar në Prokurorinë Publike, e cila ka hapur hetim ndaj 26-vjeçarit nga Kisella Voda.
“Me veprimin e tij, i dyshuari ka krijuar ndjenjë frike dhe pasigurie tek pasagjerët dhe të pranishmit në Aeroport, ndërsa me aktivizimin e protokolleve për kontroll antiterrorist ka penguar edhe tërësinë e trafikut ajror.", thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Për të dyshuarin është kërkuar masa e paraburgimit. Sipas Kodit Penal, për kryerjen e akteve terroriste, parashikohet dënim me burg prej të paktën 10 vjetësh deri në burgim të përjetshëm.
ABIBE QAILI
