Maqedoni

BDI: Po cenohet përfaqësimi i drejtë i këshilltarëve, VLEN: BDI e përgatiti dhe e votoi regjistrimin

21.08.2025 14:55

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që Qeveria...

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që Qeveria të tërheqë vendimin e shtatorit të vitit 2024 me të cilin po cenohet përfaqësimi i drejtë i këshilltarëve në komuna, duke ulur numrin e këshilltarëve.
 
Ky vendim është shqetësues dhe në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në bazë të së cilit po përjashtohen diaspora, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi. Sipas tij, kjo Qeveri nuk po i pranon rezultatet e regjistrimit të vitit 2021 dhe me këtë po krijohen tensione. 
 
“Në qoftë se e shikojmë vendimin e Qeverisë në shtator të vitit 2024, e shohim se ato bazohen në të dhënat zyrtare nga regjistrimi i vitit 2021. Të dhënat zyrtare janë të qarta, Gjykata Kushtetuese në mënyrë të qartë ka vendosur që 29.5 % janë shqiptarë. Edhe ajo në të cilën bazohen nuk qëndron, thirren në të njëjtën, por nuk e respektojnë. Nuk i respektojnë rezultatet e regjistrimit. Gjithashtu ky vendim i Qeverisë, shtator 2024, bazohet edhe në nenin 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, mirëpo vendimi është në kundërshtim me këtë nen. Ky nen thotë se numri i Këshilltarëve caktohet në bazë të numrit të banorëve, nuk thotë në bazë të rezidentëve apo jorezidentëve.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit qeverisës VLEN. Sipas tyre është BDI-ja, ajo që e votoi dhe zbatoi të gjitha padrejtësitë dhe përjashtimet e shqiptarëve.
 
"BDI-ja futi anomalitë më të mëdha në regjistrim me rubrika që nuk ekzistojnë askund në botë. Në vend të një regjistrimi të qartë dhe të drejtë, ata mundësuan që bashkëqytetarët tanë të trajtohen si “të huaj” në shtetin e tyre. BDI me vetëdije e sakatoi statistikën dhe pikërisht për shkak të kompromiseve të tyre, shqiptarët sot, në vend se të figurojnë 29.5%, paraqiten si 24.3%.Përgjegjësia është e qartë, sepse askush tjetër, përveç BDI-së, nuk ka faj për këtë gjendje.", reagojnë nga VLEN-i.
 
Nga VLEN-i akuzojnë se BDI-ja u mor me biznese dhe nuk u interesua për interesat e shqiptarëve. Prandaj, pyesin nëse Arbër Ademi, Bujar Osmani, Ali Ahmeti do ta pranojnë se mashtruan diasporën dhe shqiptarët jorezidentë dhe a do të marrin përgjegjësi për këtë mashtrim historik.
 
Nga VLEN-i sigurojnë se do të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe se nuk do të lejojnë që numri dhe dinjiteti i tyre të falsifikohen. 
 
FLORIJE KAMBERI