Maqedoni

Listat e pavarura, Mickoski: Me fletëvotime të gjata, i mundur kaosi

21.08.2025 15:33

Mundësia e kandidatëve të pavarur të garojnë në zgjedhje...

Mundësia e kandidatëve të pavarur të garojnë në zgjedhje me dy nënshkrime të vetme mund të shkaktojë kaos zgjedhor. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se përpos kësaj, mund të ulet edhe numri i votuesve.
 
Kryeministri nuk përjashton mundësinë e ndërhyrjes qeveritare, në rast të dështimit të procesit zgjedhor. Por, fillimisht pritet një shtatori kur fotografia e fletëve të votimit do të jetë më e qartë, pasi përmbyllet procesi i dorëzimit të kandidaturave.
 
“Nuk përjashtoj një mundësi të tillë, gjithçka është e mundur. Fletëvotimi mund të jetë 7 ose 8 metra. Mundet që fletëvotimi t’i dekurajojë qytetarët të mos dalin për të votuar dhe të ulet censusi. Por, këtu dua që të paralajmëroj se në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, nëse procesi zgjedhor është i pasuksesshëm, Qeveria do të emërojë njerëz të besueshëm qeveritarë. Kështu që, sjellja jo e përgjegjshme e individëve dhe partive të caktuara politike rezulton me mundësi të tilla.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ademi: Vendimi i KShZ-së, joserioz
 
BDI-ja opozitare thotë se situata e tillë u krijua për faj të Qeverisë, e cila nuk ka formuar grupe pune për përfshirjen e rekomandimeve të OSBE-së në Kodin Zgjedhor. Sipas Arbër Ademit, çështja në fjalë duhej zgjidhur me konsensus partiak gjashtë muaj para zgjedhjeve.
 
“Pesë minuta në dymbëdhjetë propozojnë zgjidhje të pakonsultuar. VMRO dhe LSDM janë ulur bashkë, të prirë nga interesat e tyre partiake, duke dashur t’i eliminojnë kandidatët e pavarur, propozojnë 0.95% të nënshkrimeve. Çfarë është kjo zgjidhje? ¬Çfarë të bëjmë ne si parti në Parlament, kur kemi thënë që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare, nga publikimi i raportit të OSBE-së, që të ulemi dhe adresojmë rekomandimet.”, - theksoi Arbër Ademi nga BDI.
 
Nuk kanë pushuar as kritikat e ekspertëve për një çoroditje të procesit zgjedhor lokal me mbështetje minimaliste qytetare për kandidaturat e pavarura. Vendimi i fundit i KShZ-së erdhi si pasojë e pakënaqësive të shfaqura nga iniciativa qytetare duke lënë nën hije mundësinë paraprake që kandidaturat e pavarura të mbështeteshin me firmat e 1% të trupit votues të zonës së caktuar, e që janë përkthyer në numra, mund të shkonin madje edhe në mbi katër mijë nënshkrime të nevojshme.
 
MERAL ISMAILI