Maqedoni

MO-ja shënjestër e akuzave dhe kundërakuzave, BDI: Po sulmohet dokumenti i paqes

21.08.2025 15:52

Bashkimi Demokratik për Integrim sërish akuzon Qeverinë...

Bashkimi Demokratik për Integrim sërish akuzon Qeverinë për mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dhënien e hapësirës forcave politike për acarimin, por edhe rrënimin e marrëdhënieve ndëretnike. Sipas opozitës shqiptare, në mungesë të legjitimitetit etnik s’kemi qeverisje të drejtë.
 
Momentalisht mbizotëron majorizimi, ku nuk dëgjohet zëri i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, thotë Arbër Ademi nga BDI.
 
“Prej fillimit kemi thënë se kjo Qeveri ka nja plan sistematik, për ta sulmuar Marrëveshjen Paqësore të Ohrit dhe kjo është vërtetuar, verifikuar me një sërë veprimesh, duke filluar nga mosrespektimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat që është vlerë kushtetuese, instaluar me MO-në. Kjo është ideja e fundit e forcave politike në vazhdën e shumë ideve që shpërfaqin një plan sistematik në drejtim të rrënimit të shtyllave të MO-së.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
 
Mickoski: MO-ja zbatohet, po ashtu edhe badinteri
 
Por, me konstatimin e BDI-së nuk pajtohet kryeministri Mickoski, i cili për Marrëveshjen e Ohrit thotë se është çështje e mbyllur. Ai ka përgjigje edhe për deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Fillkov, për mundësinë e rishikimit të shumicës së Badinterit, që sipas tij, Badinteri është kategori e Kushtetutës dhe MO-së, dhe si i tillë nuk preket.
 
“Kjo është rregull, pjesë e Marrëveshjes Kornizë, Marrëveshja Kornizë është pjesë e Kushtetutës, Marrëveshja Kornizë është tërësisht e kryer dhe e përmbushur dhe kjo është temë e mbyllur. Ajo që paraqiste problem thelbësor dhe institucional është balancuesi, dhe e dini se ofruam Ligj për Përfaqësim të drejtë, i cili përskaj përkatësisë etnike do të ketë edhe komponentë që do të vlerësojë në bazë të cilësisë, kompetencave e me radhë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski përkujton se Qeveria po pret mendimin e Komisionit të Venedikut mbi Ligjin për Përfaqësim adekuat, i cili më pas do të futet në procedura parlamentare.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU