Maqedoni

Përplasje për nepotizëm, ASh-ja dhe VLEN-i me akuza ndaj njëra-tjetrës

21.08.2025 16:11

Përplasjet mes partive politike shqiptare vazhdojnë...

Akuza e kundërakuza, e në veçanti mes atyre të cilët deri dje bashkëqeverisnin për një vit, Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit dhe koalicionit VLEN, e cila së fundmi ka drejtuar gishtin drejt VLEN-it për nepotizëm dhe kapje të institucioneve nga familjarët e funksionarëve të tyre politikë.
 
“Ky fenomen i përhapur i nepotizmit po minon besimin qytetar dhe po dëmton themelet e një administrate të drejtë. Rastet janë të shumta dhe të dokumentuara: deputetja Merita Kollçi Koxhaxhiku ka punësuar djalin e saj në M-NAV; kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka punësuar nipin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes; Yllka Nuredini ka punësuar motrën e saj 18-vjeçare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ka emëruar babain drejtor në Qendrën për Kulturë në Dibër; Arben Fetai punësoi kushëririn në Drejtorinë e Doganave; Albrim Hoxha ka punësuar bashkëshorten e tij në Ministrinë e Shëndetësisë; Fatmir Limani ka punësuar vajzën, vëllanë dhe dhëndrin në pozita drejtuese, përfshirë edhe në ESM.”, - thonë nga ASh-Taravari.
 
Ndërkohë nuk ka munguar edhe reagimi i VLEN-it duke akuzuar grupin e kryetarit të ASh-së, Arben Taravari, për nepotizëm gjatë kohës kur qeveriste.
 
“Hipokrizia politike e grupit të Taravarit nuk ka fund. Ata që e kanë kthyer nepotizmin në sport familjar, sot guxojnë të akuzojnë VLEN-in. Pikërisht Arben Taravari, i cili në Gostivar e ka kthyer komunën në biznes privat të shokëve të klasës. Sot gjithë struktura lokale e ASh-së është ngritur në këmbë kundër tij për shkak të favorizimit të hapur të Halil Snopçes dhe bashkëshortes së tij, Aslian Snopçe, njëri deputet, tjetra drejtuese sektori në komunë. Dhe për ta bërë edhe më të qartë natyrën e kësaj politike hipokrite, kujtojmë frazën e famshme të Taravarit: “Jeton Shaqiri është djalë i mirë”. Pse djalë i mirë? Sepse derisa ishte ministër i Arsimit, ia punësoi gruan Taravarit në ministri! Ky është modeli i tyre: shokët, gratë, nipat, dhëndrit, të gjithë në shtet.”, - thonë nga VLEN-i.
 
Nga VLEN-i shtojnë se po pastrojnë shtetin nga nepotizmi dhe hipokrizia. Thonë se po punojnë që institucionet t’u kthehen qytetarëve, jo klaneve familjare dhe se tetori do të dëshmojë për punën e tyre.
 
ARMEND MURSELI