Botë
Gazë, Izraeli kryen sulme ajrore, OKB-ja bën thirrje për armëpushim
21.08.2025 16:57
Izraeli ka kryer sulme ajrore në qytetin e Gazës, pasi Ministria e Mbrojtjes...

Izraeli ka kryer sulme ajrore në qytetin e Gazës, pasi Ministria e Mbrojtjes miratoi planin për zgjerimin e ofensivës. Zgjerimi i ofensivës synon që të shënjestrohen bastionet e mbetura të Hamasit, thonë autoritetet izraelite.
“Do ta thellojmë dëmin ndaj Hamasit në Gazë, bastionin e terrorit qeveritar dhe ushtarak. Do ta shkatërrojmë infrastrukturën terroriste mbi dhe nën tokë dhe do ta ndërpresim varësinë e popullatës nga Hamasi. Nuk do të presim. I kemi nisur operacionet paraprake dhe fazat e para të sulmit.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Efi Dufrin.
Derisa sulmet izraelite vazhdojnë, popullata civile vazhdon të përballet me uri. Disa palestinezë u plagosën në Zikim, pika hyrëse e ndihmës humanitare në veri të Gazës.
“Ka të vrarë dhe të lënduar, po e rrezikojmë jetën tonë për fëmijët dhe familjet tona për të mbijetuar.”, - tha një banore.
Planet e Izraelit për të zgjeruar ofensivën dhe për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës kanë nxitur dënime ndërkombëtare, por edhe kundërshtime brenda Izraelit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bën thirrje për armëpushim në Gazë.
“Duhet të përsëris se është me rëndësi jetike të arrihet menjëherë një armëpushim në Gazë dhe lirimi i pakushtëzuar i të gjithë pengjeve, si dhe të shmanget vdekja masive dhe shkatërrimi që ky operacion ushtarak në qytetin e Gazës do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Vendimi izraelit për të sulmuar qytetin e Gazës vjen në kohën kur Hamasi është pajtuar me një propozim të ri për armëpushim, por autoritetet izraelite ende nuk i kanë dhënë qëndrimin e tyre.
GYLTENE SINANI
