Botë
Vendet e BE-së dhe ShBA-ja të gatshme për garancinë e sigurisë në Ukrainë, Rusia kundër trupave evropiane në Ukrainë
21.08.2025 16:24
Komponenti ushtarak i garancive të sigurisë për Ukrainën...

Komponenti ushtarak i garancive të sigurisë për Ukrainën ka nisur të marrë formë, thonë nga kabineti i presidentit ukrainas, Zelenski.
“Ka filluar puna për krijimin e komponentit ushtarak të garancive, të cilat po diskutohen si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e luftës me Rusinë.”, tha Andrij Jermak, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X.
Edhe disa vende evropiane, mes tyre Britania dhe Franca, janë të gatshme të dërgojnë një kontingjent ushtarak paqeruajtës në vend. Edhe Uashingtoni e ka konfirmuar mbështetjen e tij të sigurisë për Ukrainën, por e ka bërë të qartë se Evropa do të duhet të mbajë barrën më të madhe.
“Duhet të jemi të dobishëm nëse është e nevojshme për të ndalur luftën dhe vrasjet. Por, duhet të presim dhe presidenti Tramp padyshim pret që Evropa të luajë rolin udhëheqës. Ata do të duhet të marrin barrën më të madhe, sepse bëhet fjalë për kontinentin e tyre dhe sigurinë e tyre.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, J. D. Vance.
Por, Moska është kundër, siç thonë ata nën “maskën e paqeruajtësve”, të vendosen trupa të NATO-s në Ukrainë.
“Shumë herë kemi sqaruar se Rusia nuk i ekzagjeron interesat e saj, por ne me vendosmëri dhe rreptësi do t’i mbrojmë interesat tona legjitime. Jam i sigurt se Perëndimi, e mbi të gjitha ShBA-ja, e kuptojnë shumë mirë se diskutimi serioz mbi çështjet e sigurisë pa Federatën Ruse është një utopi dhe nuk çon askund.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov.
Sa i përket takimit Putin-Zelenski, tani për tani nuk ka qëndrim konkret nga Moska, Kremlini insiston që garancitë e sigurisë për Ukrainën të bazohen në Protokollin e Stambollit të vitit 2022, e që i jep Rusisë dhe aleatëve të saj të drejtën e vetos mbi ndihmën ushtarake perëndimore për Kievin.
Derisa zhvillohen përpjekjet për paqe, luftimet në front vazhdojnë. Të dyja palët raportojnë për sulme me dronë dhe raketa.
GYTENE SINANI
