Botë
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, opozita nuk pati votë as për Hekuran Muratin
22.08.2025 14:19
Edhe Hekuran Murati, ministri në detyrë i Financave, e pati fatin e Albulena Haxhiut...

Edhe Hekuran Murati, ministri në detyrë i Financave, e pati fatin e Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës. Ai ishte propozimi i tretë i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, por mori vetëm 57 vota për, nga 61 sa janë të nevojshme.
PDK-ja opozitare përsëriti qëndrimin se nuk ka votë për asnjërin nga anëtarët e kabinetit qeveritar, por partia e tij është e gatshme të votojë për kryeparlamentar, ndonjërin nga deputetët e Vetëvendosjes, që nuk është pjesë e ekzekutivit.
“Janë edhe 35 kandidatë të tjerë që i ka LVV-ja, e që po të viheshin në votim, ndoshta sot do ta kishim të zgjedhur edhe kryetarin edhe kryesinë edhe konstituimin e Kuvendit. PDK-ja nuk e voton asnjë nga anëtarët e ish-kabinetit Kurti 2 dhe këtu po e përfshijmë edhe shefen e grupit parlamentar.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Nuk ka sens që opozita i jep të drejtë vetes t’ia zgjedhë fituesit kandidatët që i takon me Kushtetutë t’i propozojë, thotë Donika Gërvalla nga Guxo, pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne e propozojmë kandidatin, ne e propozojmë atë kandidat që mendojmë se drejton më së miri këtë institucion dhe nuk jemi këtu në një katalog ku opozita hyn dhe zgjedh se cili i pëlqen e cili jo. Nuk ka asnjë lloj sensi i shtetit ligjor, as të demokracisë kur opozita i jep të drejtë vetes t’ia zgjedhë fituesit se kë të propozojë.”, - theksoi Donika Gërvalla nga Guxo.
Kundër propozimit që Hekuran Murati të zgjidhet kryetar i Kuvendit, votuan edhe deputetët e LDK-së, ndërsa AAK-ja dhe Nisma votuan të përmbajtur. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vazhdimin e seancës konstituive e caktoi për 24 gusht.
GYLTENE SINANI
