Maqedoni

Badinteri, cak i përplasjeve politike, BDI: Strategji për demontimin e MO-së

22.08.2025 14:38

Deklarata e ministrit të Drejtësisë Fillkov mbi rishikimin e shumicës së Badinterit...

Deklarata e ministrit të Drejtësisë Fillkov mbi rishikimin e shumicës së Badinterit, për BDI-në është një fjalë e hedhur në ajër me mundësi të mëtutjeshme për t’u debatuar.
 
Sipas opozitës shqiptare, kjo është një vazhdë e demontimit të kategorive juridike që përfshihen në Marrëveshjen e Ohrit, duke shtuar se shqiptarët nuk do të lejojnë dëmtimin e MO-së, bashkë me të edhe zhbërjen e statusit të tyre shtetformues, shndërrimin në pakicë dhe kthim të majorizimit. 
 
“Unë mendoj se është një strategji e kryeministrit, i cili urdhëron ministrat për të nxjerrë deklarata të tilla si ballon prove, që të normalizohet si temë dhe pastaj del me demante boshe. Është pjesë e strategjisë për të demontuar Marrëveshjen e Ohrit. Ajo që është tronditëse është heshtja e VLEN-it ndaj një veprimi të tillë të rrezikshëm, ndaj hapjes së këtij debati të rrezikshëm dhe qëndrimi në prehrin e VMRO-së edhe përkundër asaj se po shihet se ka plan për të demontuar MO-në.”, - deklaroi Bujar Osmani nga BDI.
 
Apasiev: Jo rishqyrtim, por shfuqizim i Badinterit 
 
Por, për të Majtën deklarata e të parit të drejtësisë është e mirëseardhur. Madje, ata shkojnë edhe më tej. Jo revidim, por shfuqizim të këtij mekanizmi votues, thotë Apasievi nga kjo parti.
 
“Absolutisht është mirë që dikush përfundimisht të prononcohet për atë që e thotë e Majta: Jo revidim, por na duhet shfuqizim i Badinterit. Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte zgjidhje e përkohshme dhe jo zgjidhje dy dekada e gjysmë. Për të gjitha elementet e etnotribalizmit, ne si parti e Majtë jemi kundër, respektivisht për shfuqizim të Badinterit, tërësisht si kategori kushtetuese.”, - theksoi Dimitar Apasiev nga E Majta.
 
Kryeministri Mickoski një ditë më parë tha se Badinteri është çështje e mbyllur, pjesë e Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit. Për të mbetet problem thelbësor dhe institucional balancuesi, i cili së fundmi u shfuqizua dhe u zëvendësua me Ligj për Përfaqësim të Drejtë, për të cilin momentalisht pritet mendim i Komisionit të Venedikut, për t’u futur më pas në procedura parlamentare.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU