Maqedoni

Zgjedhjet lokale, pesë kandidatë në garë për Shkupin

22.08.2025 14:57

Në kuadër të garës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit...

Në kuadër të garës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, krahas katër kandidaturave nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i, LSDM-ja dhe Aleanca Kombëtare për Integrim, garës për kryeqytetin i futet edhe kandidati i pestë, që vjen nga partia E Majta, Amar Mercinoviq, deputet aktual i kësaj partie.
 
Ai do të jetë në garë me Orce Gjorgievskin nga VMRO-DPMNE, Bashkim Bakiu nga koalicioni VLEN, Kaja Shukova nga LSDM dhe Skender Rexhepi nga Aleanca Kombëtare për Integrim. Mercinoviqi thotë se garës i futet për t'i çuar para projektet në favor të kryeqytetit, e posaçërisht ato për transportin publik.
 
“E Majta vendoset si forcë që tenton t’i bashkojë të gjitha elementet, që sinqerisht luftojnë kundër VMRO-DPMNE-së, dhe LSDM-së, që po na e bën hesapin dhe është në xhepin e elitës që nuk na lejon të jetojmë në qytetin tonë, sipas standardeve tona.”, - deklaroi kandidati për qytetin e Shkupit nga E Majta, Amar Mercinoviq.
 
Kryetarja aktuale e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, ka konfirmuar se nuk do të garojë për mandat të ri. Por, pas miratimit të Rregullores së re të KShZ-së për zgjedhjet lokale, ku përfshihet edhe çështja e kandidimit për kandidatët e pavarur me dy nënshkrime, nuk përjashtohet mundësia për kandidatura të pavarura për të parin e kryeqytetit.
 
Afati për dorëzimin e kandidaturave do të përfundojë më 13 shtator në mesnatë, ndërsa, fushata zyrtarisht do të fillojë më 29 shtator, ndërsa do të përfundojë më 17 tetor në mesnatë, kur fillon heshtja zgjedhore. 
 
FLORIJE KAMBERI