Maqedoni
Eurointegrimi, Mucunski: BE-ja të tregohet më e përkushtuar
22.08.2025 15:16
Diplomacia e vendit fton Bashkimin Evropian të tregojë përkushtim...

Diplomacia e vendit fton Bashkimin Evropian të tregojë përkushtim rreth integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski, në një intervistë për një media ballkanike thotë se ekzekutivi po punon për ta bërë vendin pjesë e familjes evropiane, duke përfshirë këtu edhe reformat, por edhe institucionet evropiane të tregojnë përkushtim të njëjtë. Fokusi, sipas tij, duhet të vihet në sistemin e meritave.
“Ne si qeveri po dëshmojmë dhe jemi të përkushtuar për integrim evropian në bazë të kritereve objektive, të cilat vetë Bashkimi Evropian thotë se në bazë të këtyre matjeve objektive ne i pranojmë shtetet të bëhen anëtare të BE-së. Por, është koha që t’i vihet fund koncesioneve, gjegjësisht çështjeve identitare dhe është koha që më shumë të fokusohemi në merita.”, - deklaroi ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski.
Mucunski theksoi edhe angazhimet e vendit në kuadër të NATO-s, si dhe partneritetit amerikan për siguri rajonale dhe globale. Në pjesën e ekonomisë Mucunski ka nënvizuar se vendi është lider në rajon me investime të huaja, duke u shtuar punësimet me paga të majme.
Për Ministrinë e Jashtme dhe të Tregtisë, me rëndësi mbeten edhe marrëveshjet për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar dhe Hungarinë.
MERAL ISMAILI
