Maqedoni
Gjendja me zjarret në RMV, lokalizohet zjarri në Parkun Kombëtar “Jasen”
22.08.2025 15:35
Është lokalizuar zjarri në Parkun Kombëtar “Jasen” ku vazhdon të dalë tym...
Është lokalizuar zjarri në Parkun Kombëtar “Jasen” ku vazhdon të dalë tym. Falë reshjeve të fundit të shiut mëngjesin e së premtes janë vënë nën kontroll vatrat aktive në këtë zonë malore që disa ditë me radhë ishin aktive.
Autoritet e vendit informojnë se tani për tani situata është stabile këtu, ndërsa ekipet e zjarrfikësve, armatës dhe punonjësve komunalë vazhdojnë të qëndrojnë në terren dhe të vëzhgojnë situatën gjatë mbrëmjes.
"Reshjet e shiut që filluan në 07:00 të mëngjesit dhe që zgjatën rreth dy orë ndihmuan në shuarjen e zjarrit. Por, krahas sasisë më të madhe të shiut, në disa vende përgjatë vijës së zjarrit ende mund të vërehet tymi, ku pas mënjanimit të mjegullës dhe tymit, do të vazhdojmë me operacionet këmbësorike drejt pikave të nxehta që tregojnë shenja të djegies. Ky terren do të kontrollohet edhe me dronë me kamera termike. Ekipet e NP “Jasen” do të vazhdojnë patrullimin derisa të konfirmohet se zjarri është shuar plotësisht.", - deklaroi drejtori i DMSh-së, Stojançe Angellov.
Në ndërkohë deri në mesditën e së premtes në të gjithë territorin e vendit janë regjistruar 9 zjarre në ambiente të hapura. Prej tyre, 6 janë shuar tërësisht, 1 mbahet nën kontroll, ndërsa 2 të tjera rezultojnë të jenë aktive. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve po intervenojnë për t’i shuar zjarret në fshatin Belovodicë të komunës së Prilepit dhe në fshatin Strovicë të komunës së Dollnenit.
Pavarësisht se ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut ndihmojnë për t’i lokalizuar dhe shuar zjarret, sinoptikanët paralajmërojnë nga sonte erëra të fuqishme që do të arrijnë 70 kilometra në orë, andaj autoritetet e Drejtorisë për Mbrojtje u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe në qoftë se vërejnë zjarre menjëherë t’i denoncojnë ato.
REXHEP QAMILI
