Botë

Vuçiqi i fton protestuesit në debat publik

22.08.2025 16:57

Në Serbi vazhdojnë protestat e studentëve, të cilat kohë pas kohe...

Në Serbi vazhdojnë protestat e  studentëve, të cilat kohë pas kohe kanë eskaluar edhe në dhunë mes protestuesve dhe policisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ftuar përfaqësuesit e protestuesve në një debat publik, përpara të gjitha televizioneve dhe portalet.
 
“Ftoj përfaqësuesit e lëvizjes së bllokadës në një bisedë dhe debat publik mbi vizionet, të flasim për planet dhe programet tona për të ardhmen dhe që së bashku të dënojmë dhunën në rrugët tona.”, tha Vuçiqi në videon e publikuar në rrjetet sociale. 
 
Presidenti serb tha se protestat po zgjasin tash e nëntë muaj dhe se “një pjesë e njerëzve në vend duan ndryshime”.
 
“Pavarësisht gjithçkaje të keqe që mendoj për kërkesat e tyre, besoj se është shumë e rëndësishme të dëgjojmë njëri-tjetrin. Mendoj se është me rëndësi vendimtare që të rifillojmë dialogun në Serbinë tonë”, theksoi Vuçiq. 
 
Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit iu përgjigjën thirrjes së Vuçiqit, duke thënë se me presidentin e Serbisë do të bisedojnë vetëm kur ai të shpallë zgjedhje të reja.
 
“Është e qartë se nuk ka përgjigje ndaj revoltës së popullit, prandaj tani do të flasë me ne, të cilët prej muajsh na quan terroristë. Për vizionet dhe programet për të ardhmen do të debatojmë gjatë fushatës parazgjedhore, kur të shpallë zgjedhje.”, thanë studentët.
 
Ndërkohë, pushteti në Serbi ka refuzuar që të shpallë zgjedhje të parakohshme.